Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim zonjën Shyhrete Tahiri Sylejmani, e cila ditë më parë e denoncoi kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, si viktimë e mbijetuar e dhunës seksuale të luftës së fundit.
Kryetari Haziri, pasi shprehu keqardhje për tmerrin që ka përjetuar në luftë, e ka përgëzuar zonjën Tahiri Sylejmani për guximin dhe heroizmin e treguar në publik, për zbardhjen pjesës së rëndë dhe të errët që e ka kaluar populli i Kosovës në luftën e fundit.
Haziri tha zonja Shyhrete Tahiri Sylejmani do ta ketë gjithmonë përkrahjen e gjilanasëve, ndërkaq ka njoftuar se do ta inicojë vendimin për ndarjen e çmimit Heroina e Qytetit më 28 Nëntor të këtij viti.
Ndërsa, Shyhrete Tahiri Sylejmani e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen e ofruar nga ana e tij, sikurse edhe mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Gjilanit dhe të familjarëve.
Në këtë takim, kreu i Gjilanit ka informuar se do ta inicojë edhe vendimin për ndarjen e çmimit Heroina e Qytetit edhe për tri gratë e dëshmorëve, Hyrije Baftiu, Fatime Ahmeti dhe Mevlide Hyseni.