Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh nënkryetar i parë në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka thënë se Gjilani nga një qendër zhvillimore është bërë një fshat spanjoll. Imazhi i Komunës ka ra për toke sepse po administrohet, nuk po qeveriset. Ekzekutivi i Komunës së Gjilanit nuk ka më as guxim të ballafaqohet me Kuvendin Komunal, për shkak të keq-qeverisjes, abuzimit me paranë publike, nepotizmit të paparë në punësim, ngecjet së madhe në infrastrukturë, dështimit e lidhjes së rrugëve lokale me rrugët regjionale e stagnimit në çdo resor.
“Politika tinëzare është instaluar tash e dy vjet në Gjilan, ka bërë politikë tinëzare me partinë e tyre, me ish-partnerin qeverisës e po mundohet që ta shtrijnë këtë edhe përtej. E keqja e madhe është që politika e ‘mizevirit’, është munduar edhe heronjtë tanë t’i ndajë. Fatkeqësisht kjo komunë e ka shtrirjen e veprimit Gjilan, Podujevë dhe Shtime, duke mos bërë asnjë partneritet me organizatat e fuqishme financiare në Europë dhe SHBA. E kuptueshme ndoshta sepse kur s’ka politika zhvillimore, e bëjnë politikën e mizevirit”, ka thënë Lutfi Haziri i LDK-së
Sipas tij, pas paraqitjes së 50 dështimeve dhe dhjetë skandaleve të ekzekutivit në fundvitin e kaluar, për çdo javë do të vazhdojnë t’i paraqesin dhe t’i elaborojnë një nga një.
“Edhe ky vit fatkeqësisht do të jetë vit i humbur për Gjilanin”, tha kryetari i LDK-së së Gjilanit, Lutfi Haziri. /2LONLINE/