“Zhvillimet në Komunën e Gjilanit kanë qenë të befasishme, por gjithashtu edhe të pritshme nga ana jonë. Kjo për shkak se koalicioni i ndërtuar VV-PDK në Gjilan, nuk ishte ndërtuar në bazë të një programi për Gjilanin e zhvilluar, por për interesa personale e partiake. Dalja e PDK-së nga koalicioni dhe deklaratat e tyre pas daljes nga ky koalicion, tregojnë se mundësia për të bashkëpunuar me të parin e ekzekutivit për të mirën e përbashkët publike, ka qenë minimale apo s’ka ekzistuar fare”.
Kështu është shprehur, në një konferencë me gazetarë, Lutfi Haziri, kryetari i LDK-së së Gjilanit, për të shtuar se dëshiron ta e konfirmon edhe njëherë qëndrimin e LDK-së se është opozitare deri në fund të këtij mandati, duke mos shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje me partinë në pushtet.
“ LDK do të jetë opozitë agresive e këtij pushteti që projektet tona po i konsideron si të huaja. 14 këshilltarët tanë pasqyrojnë shumicën e qytetarëve në Kuvendin Komunal, dhe presim që ky besim qytetar të respektohet nga Kryesuesi i Kuvendit, duke liruar pozitën e të parit të Kuvendit që me legjitimitet i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në të kundërtën, LDK gjatë javës së ardhshme do të fillojë me procedurat e nevojshme për marrjen e mandatit që i takon, në koordinim me partnerët tanë opozitarë dhe partinë e sapo dalur në opozitë”, ka thënë tutje Haziri.
I pari i LDK-së së Gjilanit tha edhe se gatishmëria e LDK-së për të kontribuar në një bashkëpunim që do të sillte politika të mira e zhvillimore për komunën nuk ka munguar asnjëherë, por gjithmonë në bazë të parimeve të demokracisë, ligjshmërisë dhe politikave të mira për qytetarët. /2LONLINE/