Komuna e Gjilanit në Lagjen e Rrushnajave siç njihej prej kohësh, apo në Porodin, ka bërë investime që nga viti i kaluar në infrastukturën nëntokësore, e këtyre ditëve ka asfaltuar dhe është në process të asfaltimit të të gjitha rrugëve.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, gjatë vizitës në këtë lagje, ka thënë se përkundër përballjes me pandeminë Covid-19, Drejtoria e Shërbimeve Publike, së bashku edhe me ndërmarrjet komunale dhe operatorët ekonomik, është duke punuar vazhdimisht në të gjitha projektet.
“Gjilani një kujdes të veçantë i ka kushtuar këtyre ditëve pastrimit dhe dezinfektimit të rrugëve, trotuareve dhe hapësirave publike. Njëkohësisht, jemi duke punuar edhe në realizimin e projekteve që kanë impakt përmirësimin e kushteve më të mira të qytetarëve, sipas planifikimit dhe programit qeverisës për lagjen dhe familjen. Lagja e Rrushnajave – Porodini po ndryshon dhe kjo pamje me investime është merit e këtyre banorëve për kushte dhe jetë më të mirë”, ka thënë ai.
“Jemi duke punuar në pastrim, investim në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit dhe rrugëve. Në këtë lagje është bërë tashmë rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit, ndërsa në këtë fazë është duke u bërë asfaltimi i rrugëve. Jemi duke punuar në realizimin e projekteve të vogla, të mesme dhe të mëdha”, ka potencuar ai.
Në adresimin e tij kryetari Lutfi Haziri, ka thënë se në këtë kohë pandemie është i domosdoshëm qëndrimi në shtëpi, në mënyrë që ta tejkalojmë këtë sfidë dhe kërrcënim për shëndetin publik.
“Rrini në shtëpi, sepse qëllim është shëndeti publik dhe në kuadër të kësaj duhet të përmbahemi, sepse janë njerëzit e mandatuar që po punojnë vazhdimisht që jeta të vazhdoj në këtë përballje me pandeminë. Falënderoj të gjithë komunitetin e biznesit, bashkatdhetarët tanë në diasporë dhe të gjithë ata që janë solidar në këto ditë të vështira për ta tejkaluar këtë gjendje sa më shpejtë dhe me sa më pak të infektuar”, ka thënë ai mes tjerash.