Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kërkuar vetëpërmbajtje nga të gjitha palët kompaninë “Eco-Higjiena”, duke shtuar janë duke punuar që ta zgjidhin sa më shpejt gjendjen jo të mirë në këtë kompani.
Haziri tha suspendimet dhe zëvendësimet e 17 punëtorëve janë të papranueshme.
“Ne mbetemi pas premtimeve të dhëna më 2 dhjetor 2016, që punëtorët të punojnë atje dhe të kryejn punën që e kanë përshkrim në kontratë, ndërsa suspendimet dhe zëvendësimi i tyre, për ne si partner, janë të papranueshme dhe kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme. Gjatë ditës së djeshme ka ndodhur një incident, me të cilin është marrë Policia e Kosovës, por atje nuk e kemi ndërmend që ta vendosim gardiane policinë. Për neve si Komunë është me shumë rëndësi, që bilancet e ndërmarrjes janë pozitive për vitin 2016, ndërsa pjesa e fitimit-devidenta nga pjesa publike kemi vendosur që të investohet në këtë kompani dhe për shërbimin e saj në proporcion me pjesën private”, ka thënë kryetari Haziri, pas mbledhjes së Bordit të Drejtorëve.
Haziri tha se ky vit është dashur të nis me numrin e njëjtë të punëtorëve sepse askush nuk mund të sanksionohet pse e shprehë publikisht pakënaqësinë e tij me menaxhmentin.
“Komuna është e përkushtuar maksimalisht në respektimin e të drejtës së punëtorëve, sepse ajo është e garantuar me ligj dhe kjo e drejtë nuk mund të cënohet nga asnjë autoritet”, tha ai.
Gjithashtu, ai ka theksuar se “Eco-Higjiena”, nuk është kompani private, por është kompani në partneritet publiko-privat dhe pjesa publike është e gatshme të kontribuoj në bazë të përgjegjësisë ligjore që ka. Sjelljet e partnerit privat sikur thuaj se gjithçka është private, nuk tolerohet në asnjë mënyrë dhe kërkojmë nga partneri Moser Group, që të sillet përgjegjshëm karshi situates”.
“Përfundimisht punëtorët duhet të kthehen në punë dhe duhet ta kryejn punën e tyre. Në shekullin XXI, t’i marrësh dikujt kovën e bërllogut nga dora dhe ta lëshë pa bukë është kërcënim dhe nuk jam në gjendje ta mbështes një politikë të tillë në “Eco-Higjienë”. Jo vetëm aty, por në asnjë ndërmarrje, ku Komuna e Gjilanit ka përgjegjësi”, ka përfunduar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.