Haziri: Lajm i mirë fillimi i dënimit të krimeve të luftës kundër popullatës civile shqiptare, jemi të pakënaqur me dënimin e ulët ndaj Vlado Zmajeviqit.
5 qershor 2019 – Pas shpalljes së aktgjykimit Gjykata e Lartë në Podgoricë të Malit të Zi, e cila sot e dënoi Vlado Zmajeviqin nga Nikshiqi, me 14 vite burg për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare, përkatësisht vrasjes së Imer Kadriut, vëllezërve Milazim dhe Qazim Haziri dhe gruan e Qazimit, Qamilen, në Zhegër të Gjilanit në vitin 1999, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se është lajm i mirë fillimi i dënimeve të krimeve të luftës.
Por, kreu Gjilanit është shprehur i pakënaqur me dënimin e ulët, që sipas tij, i ka dhënë Gjykata e Podgoricës, Zmajeviqit.
“Është lajm i mirë fillimi i dënimit të krimeve të luftës kundër popullatës civile shqiptare, por jemi të pakënaqur me dënimin shumë të ulët me vetëm 14 vite burg ndaj Vlado Zmajeviqin nga ana e Gjykatës së Lartë të Pogdoricës. Megjithatë, ky është një lehtësim sado pak për familjen Haziri dhe Kadriu nga Zhegra. Lavdi e përjetshme martirëve, Imer Kadriu, vëllezërve Milazim, Qazim Haziri dhe Qamile Haziri!”, ka thënë Haziri.