(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri së bashku me shefin e Kabinetit Arbër Ismajli dhe drejtorin për Zhvillim Ekonomik Ismail Januzi, kanë vizituar sot Inkubatorin e Biznesit, ku janë pritur nga menaxheri i këtij institucioni Milot Shkodra.
Pasi ka parë nga afër kushtet në të cilat gjendet objekti i Inkubatorit të Biznesit, kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri tha se është nevojë urgjente që këtij institucioni t’ia kthejmë destinimin e duhur vetëm për biznese.
“Është i domosdoshëm zhvillimi i inkubatorit dhe kthimi i destinimit vetëm për biznese sepse e kemi edhe rekomandimin e auditorit të brendshëm që shoqatat, OJQ-të dhe agjencionet të largohen nga ai objekt dhe të zhvillojnë aktivitetin vetëm ata që kanë çertifikatë të biznesit. Çmimi i qirasë do të jetë simbolik dhe në këtë mënyrë do t’i ndihmojmë bizneset e vogla të operojnë sukseshëm, e veçanërisht për gratë gjilanase të cilat zhvillojnë veprimtari biznesore”, ka thënë me këtë rast kryetari Haziri.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik Ismail Januzi theksoi se po punohet vazhdimisht për ta funksionalizuar në mënyrën më të mirë Inkubatorin e Biznesit, duke krijuar lehtësira për bizneset dhe në këtë mënyrë zhvillohet ekonomia dhe rriten vendet e reja të punës./2L ONLINE/