Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, ka nisur sot shpërndarjen e faturave të tatimit në pronë përmes Postës së Kosovës për vitin 2018.
Me këtë rast, kyetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar qytetarët që gjithmonë i përgjigjen pozitivisht obligimeve për tatimin në pronë, duke apeluar që këtë ta bëjnë edhe tani.
“Qytetarët e Gjilanit janë shembulli më i mirë sa i përket kryerjes së obligimeve ndaj tatimit në pronë. Unë apeloj që këtë ta bëjnë edhe tani kur tashmë ka nisur shpërndarja e faturave. Shuma e mbledhur nga tatimi në pronë do t’u kthehet qytetarëve me investime në infrastrukturë, në qytet e fshatra”, ka thënë kryetari Haziri.
Komuna njofton se nëse ndodh që tatimpaguesi të mos e pranojë faturën, lutet që të lajmërohet në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa, përkatësisht në sportelet e Tatimit në Pronë të cilat gjenden në lokalet e Administratës së Përgjithshme.
Ndërkaq, të gjithë tatimpaguesit, por edhe ata të cilët jetojnë jashtë Kosovës, e kanë mundësinë që faturën ta marrin dhe ta shkarkojnë edhe përmes faqes së internetit në adresën www.tatimineprone-rks.org dhe mund të paguajnë edhe përmes e-banking.