Fshati Llashticë i Gjilanit ka përkujtuar sot 26 martirët e vrarë nga forcat serbe 20 vite më parë, në mesin e të cilëve edhe foshnjen trejavëshe.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, pasi ka bërë homazhe tek varret e të rënëve, ka thënë se gjaku i martirëve të Llashticës, është gjaku i lirisë.
“Prilli shënon dhimbjen më të madhe të masakrës së Llashticës, e që është Reçaku i Anamoravës. Në këtë masakër nuk u kursye askush, as Luli 11 vjeç. Përmes Llashticës, ne kujtojmë edhe masakrën e Llovcës, Lladovës, Zhegrës dhe të gjithë të rënët e prillit, majit e qershorit. Gjaku i tyre është gjaku i lirisë, por gjaku që bënë dritë e që nuk shuhet kurrë është gjaku i fëmijëve. Pafuqinë që të luftojnë me ata që kanë qenë në front, ata u hakmorën në fëmijë, pleq e plaka. Sot ne e kujtojmë me gjunjëzim dhe lus familjet që të bëhen të fortë”, ka thënë Haziri.
Kreu i Gjilanit ka thënë se ndihet krenar me projektet që i ka realizuar Komuna në këtë fshat në pesë vitet e fundit, duke shtuar se tashmë janë në prag të fillimit të ndërtimit të ambullantës atje dhe me këtë përfundojnë investimet e mëdha.
Në këtë tubim janë lexuar poezi të përgatitura nga nxënësit e shkollës “Esat Berisha”, me tematikë patriotike dhe në kujtim të të rënëve.