/2L ONLINE/ – Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit e ka mbledhur të shtunën në takim bordin e drejtorëve, ku tha se kanë diskutuar për fillimin e vlerësimit dhe angazhimet konkrete për 9-mujorin e punës.
“Bordi i Drejtorëve sot ka filluar vlerësimin dhe angazhimet konkrete për 9-mujorin e punës, projektet që jemi në implementim e sipër dhe mbi të gjitha po përgatitetmi për fillimin e projekteve kapitale, siç është ndërtimi dhe rehabilitimi i rrjetit të kanalizimit dhe shtratit të lumit “Mirusha” dhe “Stanishorka” në Gjilan, që është program tashmë i vendosur nga qeveria e Kosovës prej 7.5 milionë euro dhe përgatitjet për fillimin e ndërtimit dhe zgjerimit të rrugëve Gjilan-Prishtinë dhe Gjilan-Ferizaj, që janë korridoret më të mëdha pas korridorit Gjilan-Bujanoc”, ka thënë Haziri.
Haziri pohoi se janë në vlerësim edhe të hapjes së traseve në “Fidanishte”, te kampi “Monteeeth dhe tek “Bashqet e vjetra të qytetit”, sikurse ka shtuar se kanë vlerësuar angazhimet për funksionalizimin e Galerisë së Qytetit.
Ai ka bërë të ditur se Tregu i Gjelbër do të shpallet javën e ardhshme në konkurs publik që nënkupton dizajnimimin dhe pamjen e plotë të tregut.
“Tregu i Gjelbër” do t’i takoj pronarëve dhe shitësve që janë aktualisht. Do të zgjerohen kapacitetet, do të ndërtohen rrugët e reja, nyjet sanitare, parkingjet dhe gjithçka që është e nevojshme, sikur edhe integrimi i tregjeve të tjera. Këtyre programeve i kemi dhënë zgjidhje financiare dhe tash jemi në fazën e fillimit të implementimit”, ka përfunduar kryetari Haziri. /2L ONLINE/