(2L ONLINE) – – Në 24-vjetorin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kujtuar me krenari 2 Korrikun 1990, duke thënë se është gurthemel, mbi bazat e së cilës u ndërtua pavarësia e Kosovës.
“2 korriku i vitit 1990 shënon ditëlindjen e Pavarësisë së Kosovës dhe Ditën kur vullneti popullor u deklarua nga të zgjedhurit. Heronjtë e 2 korrikut, delegatët e Kuvendit të Kosovës, duhet t’i nderojmë e falënderojmë për aktin më madhor në kushte okupimi. 2 Korriku i vitit 1990 është gurthemel, mbi bazat e së cilës u ndërtua pavarësia e Kosovës”, ka thënë Haziri.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 u shpall në gjendje të jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor, që kishte vendosur Beogradi, dhe si kundërpërgjigje e rrënimit kundërkushtetues e me forcë. Ky akt konsiderohet si bazë për shtetin e Kosovës në kuptimin historik, juridik dhe demokratik./2L ONLINE/