Drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Komunës së Gjilanit, Doruntina Hasani ka thënë se sistemi shëndetësor në Komunën e Gjilanit, vijon të bëjë përparime të prekshme. Gjatë këtij viti po ofrohen edhe shërbime të reja, të cilat nuk janë kryer më parë në ambulanta dhe se këto janë vetëm një hap drejt transformimit rrënjësor të shërbimeve mjekësore.
“Për herë të parë në Komunën e Gjilanit, përkatësisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, qytetarëve u ofrohen disa shërbime të reja shëndetësore respektivisht mamografia, PAP Testi dhe ultrazëri i gjirit. “Këto shërbime shumë të rëndësishme janë vetëm një hap drejt transformimit rrënjësor të shërbimeve mjekësore”, tha drejtoresha për Shëndetësi, Doruntina Hasani.
Ajo tregon se i kanë funksionalizuar edhe ultrazërin e gjirit në QKMF dhe rentegenin e dhëmbëve në QMF nê lagjen Arbëria.
Hasani tha edhe se shërbimi i mamografisë bëhet pa pagesë, ku për gjashtë muaj mamografinë e kanë bërë 475 qytetarë.
“Për herë të parë në shëndetësinë primare të Gjilanit, është duke u bërë PAP Testi në QKMF dhe shërbimi ofrohet falas”, tha Doruntina Hasani.
Ajo tregoi se për gjysmë viti PAP Testin e kanë bërë 291 qytetarë.
Drejtoresha për Shëndetësi, tha poashtu se po ashtu është funksionalizuar Ultrazëri i gjirit si shërbim i ri në QKMF.
Sipas saj në QMF në Arbëri kanë funksionalizuar edhe Rentgenin e dhëmbëve. /2LONLINE/