Komuna e Gjilanit, për herë të parë, ua mundëson qytetarëve të japin kontributin e tyre online në procesin e konsultimeve publike, ka thënë drejtoresha e Administratës së Përgjithshme, Doruntina Hasani.
Nga Zyra për Qeverisje të Mirë e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, bazuar në Rregulloren për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik nr. 5/2016, është lansuar platforma online për konsultime publike të cilën mund t’a përdorin të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
‘Komuna e Gjilanit, për herë të parë filloi me përdorimin e kësaj platforme, me qëllim që t’u mundësohet qytetarëve dhe të gjitha palëve të interesuara që të shprehin edhe online qëndrimet e tyre lidhur me aktet e dokumentet që janë në proces të aprovimit nga Komuna’, ka thënë drejtoresha Hasani.
Komentet dhe kontributin e tyre, qytetarët mund ta japin drejtpërsëdrejti përmes kyçjes (log-in) në platformë.
Në vijim mund të gjeni të bashkangjitur linkun për kyçje në rubrikën e platformës për Komunën e Gjilanit:
https://konsultimet.rks-gov.net/consultations.php?InstitutionID=20506&OpenPage=0&ClosedPage=0
‘Transparenca, gjithë përfshirja dhe vendimmarrja e përbashkët me qytetarët, ka qenë ndër zotimet tona që tanimë po jetësohet’, ka thënë Doruntina Hasani, drejtoreshë e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme. /2LONLINE/