/2L ONLINE/ – Bajram Hasani, anëtar i Kryesisë së Nismës për Kosovën ka shkruar në profilin e tij se është shqetësuese dhe e padrejtë që kursimet e kontributdhënësve të Kosovës të barten në buxhetin e Qeverisë “Kontributi i punëtorëve nuk duhet të keqpërdoret për asnjë arsye, as Qeveria dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të luaj me paratë e punëtorit edhe ashtu të varfër të vendit tonë”, është shprehur Hasani.
Ja postimi i plotë i tij:
“ Konsideroj se është shqetësuese dhe e padrejtë që kursimet e kontributdhënësve të Kosovës të barten në buxhetin e Qeverisë. Qeveria që në fillim është dashur që të shqyrtojë mirë ndarjen e buxhetit e jo në fund të vitit të rrezikojë mundin dhe djersën e punëtorëve të vendit.
Këto nëntë milion janë para të paguara nga subjektet për punëtorë, dhe listat e punëtorëve nga firmat që kanë shkuar deri në qershor 2012 të cilat firmat kanë qenë të obliguara që çdo 3 muaj të bëjnë listimin e emrave të punëtorëve të cilëve u janë paguar kontributet dhe të dërgohen në ATK.
Ka raste kur me kontroll janë obliguar firmat të paguajnë, por nuk i kanë obliguar që të precizojnë emrat.
Këto do të thotë janë të paguara nga firmat por nuk e kanë caktuar emrin e kontributdhënësit.
Propozimi që këto mjete të kthehen si të hyra të ATK-së apo çfarëdo veprimi tjetër është shkelje e rëndë dhe mohim i të drejtave të kontributdhënësit duke e ditur se në shumën e grumbulluar, 50 % e shumës është kontribut i punëtorëve dhe 50 % kontribut i firmës për punëtorë.
Ne kërkojmë që t’i jepet mundësia edhe njëherë që këto të verifikohen dhe të shpërndahen në llogaritë e kontributdhënësve. Kontributi i punëtorëve nuk duhet të keqpërdoret për asnjë arsye, as Qeveria dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të luaj me paratë e punëtorit edhe ashtu të varfër të vendit tonë”.