Nga: Sabit RRUSTEMI
HASAN ALIA – NJË KRYENGRITËS I PAEPUR PËR LIRI , PAVARËSI DHE NJË SHTET TË PËRBASHKËT SHQIPTAR
( Me rastin e përurimit të Shtatores së Hasan Alisë në qytetin e Vitisë )
Komuna e Vitisë para se gjithash, po edhe e gjithë Krahina e Anamoravës po e nderon sot në mënyrën më të mirë, njërin nga bijtë e saj më të çmuar të shekullit njëzet për lirinë e këtij vendi dhe kauzën e përgjithshme të shqiptarëve në këto 112 vite, e që vazhdon të mbetet, krijimi i një shteti të përbashkët shqiptar në këto troje të Ballkanit, Hasan Alinë, i njohur edhe si Hasan Ali Remniku. Akti i zbulimit të shtatores së tij, dëshmon mirëfilli se vlerat dhe kontributet e njerëzve të saj nëpër kohë, nuk harrohen.
Ky nderim për njërin nga kryengritësit më këmbëngulës për lirinë e këtij vendi që sot njihet si shteti më i ri në Europë, është një shenjë e mirë, madje dhe një shpresë reale se figurat e shquara të këtij populli, sado të anashkaluara nga pushtetmbajtësit dhe të përbuzura nga pushtuesit, kanë zënë të çmohen dhe të vendosen aty ku e kanë vendin. Një lajm i mirë ky, edhe për qytetet e tjera.
Një nga këto figura shumë të respektuara që i ruajti dhe s’i harroi për asnjë çast kujtesa e këtij populli të etur për liri, pavarësi e shtet Sovran, është edhe heroi ynë, Hasan Alia, një emër i denjë i lirisë sonë dhe një nga emrat e rrallë, të cilët u bënë dalëzotës të të pambrojturve nëpër kohë deri në përmbylljen e shekullit njëzet.
Për brezat e lirisë që patën fatin të vijnë në jetë dhe të rriten në një ambient të lirë e të pavarur që synon të vendos demokracinë dhe sovranitetin, dhe atyre që rikujtesa ua përforcon bindjet që tashmë i kanë brumosur thellë në dije e në ndërdije, emri i Hasan Alisë për pesë dekada, ka qenë emër i anatemuar nga pushtetmbajtësit e kohës. Përmendja e tij në publik, e mos të flasim për ndonjë shkrim a ndriqim të bëmave të tij, ka qenë e ndëshkueshme dhe ate, rëndë. Është kualifikuar si “vepër kundër shtetit dhe rendit kushtetues”. Dhe pikërisht për faktin se ai emër shprushte këreksën tonë të kahmotshme për liri, për të drejta dhe për shtet të mëvetësishëm e të barabartë me të tjerët.
Po kush ishte Hasan Alia?
Një njeri i thjeshtë i këtij vendi, i kësaj toke, i lindur e i rritur sipas traditave dhe dokeve shqiptare, në një familje atdhetare e cila nuk ia shtrinte dorën asnjë pushteti dhe s’kërkonte gjë prej asnjë pushteti apo pushtuesi, pos ta linin të lirë në tokën dhe shtëpinë e tyre që e kishin ngritur dhe e mbanin me djersën dhe fuqinë e tyre, pa ia zënë udhën dikuj tjetër apo, pa u bë dhe barrë për dikë, e, aq më pak për pushtetet a pushtuesit.
Sipas dokumeneteve të kohës, Hasan Alia u lind në Remnik, në vitin 1910, por, sipas të dhënave të Familjes së tij, ai ishte lindur në vitin më të mbrapshtë për shqiptarët, vitin 1913, kur të gjithë fqinjët tanë ishin turrur t’i bënin copash e kafshata për vete, tokat tona.
Fatet e këtij viti, do të bëheshin dhe fati i jetës së tij, sepse që në rininë e hershme, ai do të ndeshet në katundin e tij me presionet dhe përbuzjet që iu bënin kolonët e porsaardhur të ish mbretërisë jugosllave, nga të cilët, vendasit nuk mund ta jetonin e ta gëzonin as edhe një ditë të bardhë.
Si biri i Ali Çollakut që në Remnik kishte ardhur nga fshati Cërnicë, diku kah gjysma e dytë e shekullit XIX, Hasani u burrërua, dhe krijoi një autoritet të pakontestueshëm, brenda e jashtë vendlindjes së tij, me bëmat e tij gjatë luftës së dytë botërore, pa i mbushur të dyzetat.
Gjatë vitit 1942, kur kolonët serbë të Remnikut me skemat e tyre ankimuese po dhe bashkëpunuese me pushtuesin, nxitën bullgarët kundër shqiptarëve gjatë majit të atij viti. Hasani, bashkë me remnikas të tjerë, nuk ndejën duarkryq. U vunë në mbrojtje të bashkëvendasëve të tyre, dhe, nuk mbeti i vetëm …
Pa hyrë shumë në detaje, sepse ato ngjarje të dhimbshme ende janë të kthjellta në kujtesën tonë, fatmirësisht tash edhe nëpër libra, pasuan represalje e vrasje ndaj popullatës së pambrojtur dhe të pafajshme sa iu desh të zhvendosen prej fshatit të tyre për gati tri vite.
Ishte Hasan Alia, ai që i nxori përtej Morave, me mbështetjen edhe të Ramiz Cërnicës, që atë kohë ishte kryetar i komunës së Parteshit, përgjatë një nate. Po, më pas, edhe i ndëshkoi krerët e kolonëve serbë , të cilët ishin shkaktarët kryesorë për vrasjet dhe vuajtjet e remnikasëve dhe jo vetëm.
Jehonë të madhe atë kohë , bëhet fjalë për verën e vitit 1943, bëri dhe aksioni i Hasan Alisë e Qazim Zekbashës në vrasjen e Sllobodan Jovanoviqit, i cili përmes pushtuesve bullgarë, ushtronte një terror të paparë ndaj shqiptarëve të Zhegrës , Lladovës e Llashticës.
Hasan Alia një nga komandantët lokal në luftën e Preshevës, kur njësitë partizano – çetnike mësynë drejtë kësaj pjese të Karadakut e të Kosovës, pikërisht në një ditë feste të shqiptarëve të besimit islam – Ditën e Bajramit, ishte nga të parët që iu doli në ndihmë luftëtarëve vullnetarë që mbronin kufirin përgjatë Udhës së Frengit – hekurudhës ku edhe i zbrapsën këto njësi partizano –çetnike duke u shkaktuar humbje të mëdha.
Hasan Alia – gjakues i pashoq i lirisë
Gjatë viitit 1944 ishte një nga luftëtarët më të rryer në mbrojtjen e trojeve etnike, nga Kika e Gollakut e deri te Guri i Zi i Shkupit, krah Ramiz Cërnicës e Hysen Tërpezës dhe shumë krerëve shqiptarë të asaj kohe.
Madje, ai, as pas ripushtimit të Kosovës nga njësitë partizano – çetnike , serbo – maqedone, Hasan Alia, si një gjakues i pashoq i lirisë, nuk i uli armët, as pas përfundimit të luftës së dytë botërore, sepse, çështja e shqiptarëve nuk ishte definuar si duhet. Kosova ish aneksuar nga Sërbia, nuk iu kishte bashkangjitur Shqipërisë.
Refuzoi një nga vendimet e atëhershme të Kongresit të Lipovicës ( viti 1945 ) për arratisje jashtë Kosovës, në vende të treta si Turqia apo Perëndimi, përkundër lutjeve nga ana e Hysen Tërpezës. Qëndroi në Kosovës , përkatësisht gjerë e gjatë Anamoravës deri në javën e pare të tetorit të vitit 1951.
Pushteti i kohës që dominohej fund e krye prej serbëve, si dhe shërbimeve shfarosëse të OZNËS e më pas UDBËS, ushtronte një terror të paimagjinueshëm në popullatën shqiptare, besa diku – diku edhe në lokalitete serbe, nën shkasin se po e strehonin dhe nuk e tregonin vendodhjen e Hasan Alisë. Disa herë e kishin përdorur dhe ushtrinë, përmes rrethimit të vendeve të supozuara por, nuk ia kishin arritur për ta zënë apo vrarë.
Popullata e kësaj pjese të Kosovës, realisht e mbante, e ruante dhe e ndihmonte Hasan Alinë, sepse ai në asnjë mënyrë nuk e rrezikonte popullin e pafajshëm, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Nuk mbahet mend as që mund ta thotë dikush se Hasan Alia qëlloi apo vrau një të pafajshëm. Si shqiptarët, ashtu dhe serbët këtë nuk mund ta thonë as sot.
E vërteta, Hasan Alia ishte tmerri për pushtuesit, për pushtetmbajtësit dhe për gjithë ata që ushtronin dhunë dhe padrejtësi ndaj populltaës së pambrojtur.
Si një kryengritës i paepur për liri i kësaj ane të Kosovës, Hasan Alia, mbante në shënjestër këtë kastë pushtetarësh e puthadorësh që shkilnin dhe shtypnin shqiptarët, anise ishte i bindur se përditë i ngushtohej rrethi dhe i sulmoheshin njerëzit që e ndihmonin. Megjithatë nuk dorëzohej, anise shumica dërmuese e bashkëluftëtarëve apo dhe drejtuesve të rezistencës shqiptare në këto anë ishin vrarë, burgosur apo dhe arratisur.
Periudha mes viteve 1949 – 1951 ishte periudha më e vështirë e jetës dhe e qëndresës së Hasan Alisë.
Ramiz Cërnica ishte burgosur dhe dënuar shkaku i qëndrimit të tij në Kuvendin e Prizrenit ( verë 1945 ), Hysen Tërpeza ishte arratisur, Xheladin Kurbalia, Bejtë Pireva dhe të tjerë prijës e luftëtarë të lirisë si Muharrem Fejza, Sylë Zarbinca, Sylë Hotla, Hamzë Bellanoci… e të tjerë, ishin vrarë në prita të pabesa.
Gjatë vitit 1949, pas një aksioni të e-NDSH-së në rrethinat e Gjilanit, një numër i madh veprimtarësh ishin burgosur. Pastaj, kah fundi i nëntorit i po këtij viti, u zbulua dhe u zu i gjallë e pastaj u dogj mulla Idriz Gjilani, udhëheqësi kryesor i gjithë kësaj rezistence të armatosur.
Kishte mbetur vetëm Ai – Hasan Alia, jo si kaçaku i fundit, po si kryengritësi i vetëm që nuk dorëzohej dhe vazhdonte kauzën për të cilën ishte betuar, pavarësisht çmimit, apo fundit, sido që të ishte.
I qëndroi besnik kauzës së tij deri në fund
Viti që i vuri kapakun gjithë atyre ndjekjeve, me ushtri, me polici e me hafije e UDBASH-ë, ishte viti 1951.
Pikërisht në fshatin e tij të lindjes, mësuesi Mustafë Rushiti – KOKAJ, s’kishte pasur zgjidhje tjetër pos t’i likuidonte dy inspektorë të UDB-së dhe të dilte në mal e t’kërkonte strehë te Hasani. Gjithashtu dhe Agush Mehmeti ishte arratisur nga burgu i Gjilanit dhe, në një mënyrë i kish ra në prehër. Po, edhe bashkëpunëtorët e tij besnikë, si Qazim Remniki, Veli Poneshi , Arif Syla e të tjerë, ishin në vëzhgim të plotë.
Kjo situatë e re e krijuar, e detyroi Hasanin që të bënte plane për t’i përcjellur deri në Shqipëri këta dy si dhe gratë që i kishin me vete… Dhe, kontakti me njerëzit që mund ta ndihmonin, e vuri edhe më tepër në rrezik. Po, rrugë tjetër s’pati, ngase nuk dëshironte edhe më shumë t’i rrezikojë lokalitetet dhe jataqet që e kishin mbajtur e ndihmuar me vite.
Dhe u nis një udheje me shumë të panjohura, të cilën ia imponoi situate e krijuar, duke e lënë krahinën e Anamoravës dhe vendlindjen e tij, nën mëshirën e bandava udbashiane e pushtetore, duke mos Iu treguar as më të dashurve, vetëm e vetëm që ata të cilët ia dëshironin vdekjen, të mos e dinin se nuk është këtupari. A, njerëzit që ia kishin dhënë besën se do ta përcillnin tej kufirit, ishin pikërisht pjesë e rrjetit famëkeq të UDB-së.
Edhe sot, pas 73 vitesh, vështirë është të zbërthehet misteri i likudimit të Hasan Alisë dhe grupit të tij.
Versioni zyrtar i kohës, thjeshtë është një inskenim dhe propogandë për t’i mbuluar këmbët dhe gishtërinjtë e pushtetit dhe dhunës së ushtruar të asaj kohe. Po, populli nuk i besoi asnjëherë asaj që thanë pushtetarët. Populli i besoi intuitës së tij: Hasan Alia ishte pre e një pabesie rrugës për në Shqipëri dhe, tej krahinës së tij – Anamoravës. Bashkë me të, edhe ata e ato që deshi t’i përcillte për në Shqipëri. Sepse ky kryengritës i paepur I lirisë që e gëzojmë sot, u nis për t’u kthyer dhe qe erdhi pas 73 vitesh, këtu, në qendër të Vitisë dhe, dëshmitarë jemi në që ndodhemi këtu dhe, të gjithë tjerët që po na shohin.
Ky popull, si atëherë, e, sot edhe më shumë, i beson dhe e çmon kontributin e madh të Hasan Alisë për këtë vend e për këtë liri. Populli, që nuk ra pre e kurtheve dhe propogandave e ekspozeve fallse të asaj kohe, diti ta ruaj unitetin, brenda kësaj pjese të Kosovës, anise u ndëshkua rëndë me një valë të re burgosjesh, dënimesh, madje edhe me vdekje ( dy sosh: Qazim Remniki e Veli Poneshi) , ndaj gjithë atyre që ishin identifikuar si mbështetës të tij.
Një listë e gjatë emrash, afro pesëdhjetë sish janë, nga të cilët dy edhe u ekzetuan me gjyq, ndërsa të tjerët bashkërisht u ndëshkuan me 620 vite burg.
Megjithatë, nënshtrim nuk pati, as thyerje e përçarje mes gjithë atyre familjarëve, pavarësisht cilit lokalitet të kësaj krahine i takonin.
Si atëherë, edhe sot ishin dhe mbetën krah Hasan Alisë dhe kauzës që s’ishte vetëm e tij, duke e nderuar, duke mos e harruar dhe duke e çmuar edhe më shumë, falë po kësaj kauze, të cilës i qëndroi besnik deri në fund: PËR LIRI E PAVARËSI TË SHQIPTARËVE NË TROJET E TYRE ETNIKE.
Viti, 10 tetor 2024