Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë në konferencën për lansimin zyrtar të bazës së të dhënave të Gazetës Zyrtare dhe aplikacionit mobil, qëllimi i së cilës është informimi i publikut me Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe aplikacionin mobil përkatës.
Kryeministri me këtë rast tha se sot e kemi shënuar edhe një të arritur të përbashkët, të Qeverisë së Kosovës dhe USAID-it.
Kryeministri tha se përmes kësaj konference, jo vetëm që po lansohet një nisje e re vetëdijësuese, por edhe një produkt i ri, që është aplikacioni online, përmes të cilit qytetari i Kosovës mund të lexojë direkt të gjitha ligjet, publikimet zyrtare të qeverisë së vendit.
“Janë afro 8000 dokumente zyrtare tani të alokuara në këtë aplikacion dhe kjo është një dëshmi se në këtë mënyrë, së bashku ne po e rrisim transparencën”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se transparenca është kusht i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit dhe të gjitha shkeljeve ligjore, duke ndihmuar qytetarët që të shohin të drejtat e tyre direkt në bazë të ligjit, dhe t’i shohin direkt veprimet që i ndërmerr qeverisja.
Duke i falënderuar të gjithë ata që në vazhdimësi kanë kontribuuar që ky aplikacion i ri të jetë në prani të të gjithë qytetarëve, kryeministri uroi që me këtë punë të mirë të mos ndalemi me kaq.
Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie u shpreh i lumtur për këtë të arritur të Zyrës së Kryeministrit së bashku me ndihmën e USAID-it.
“Besoj fuqimisht në partneritetin tonë me Kosovën dhe uroj për punën e mirë që është bërë nga Gazeta Zyrtare, që është ndër më të parapëlqyerat”, tha ambasadori Delawie.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7352