/2L ONLINE/ – “Ma gjeni një hartë, çfarëdo qoftë ajo, që dëshmon se kufiri është në Kuqishtë dhe unë me gjithë familje do ta lëshojmë Kosovën. Nuk do të kthehemi më”. Kështu u ka thënë gjilanasve të tubuar në sallën e teatrit të qytetit të Gjilanit, Ramush Haradinaj, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një tubim me struktura, aktivistë, simpatizantë të AAK-së dhe qytetarë të tjerë të pranishëm në tubim, ku është folur, edhe një herë, për dy çështje që për AAK-në janë tejet të rëndësishme, Asociacioni i Komunave Serbe apo, siç thotë Haradinaj “Zajednica” dhe Demarkacionin i Kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
Haradinaj ka thënë se vetëm për komisionin shtetëror për demarkacion, kufiri na qenka midis Rugovës. Nga ta është dëgjuar për herë të parë se kufiri qenka në mes luginës në Rugovë. Por jo, kufiri është te Kulla e Zhlepit dhe në Çakorr. Sipas Haradinaj, Komisioni ka gabuar dhe se këtë, dita ditës po e kuptojnë të gjithë. E, Haradinaj, ka falënderuar edhe ata deputetë të pozitës që nuk e kanë mbështetur këtë version të demarkacionit sepse e kanë parë që eshët e gabueshme dhe e dëmshme për vendin.
I pari i AAK-së ka thënë qeveria do të duhej të vendoste për rishikim të këtij procesi, dhe nëse me Malin e Zi nuk do të merremi vesh atëherë në Gjykatë do të fitohet kjo sepse edhe Mali i Zi, thotë Haradinaj, e ka të qartë dhe e di mirë ku është kufiri.
Përndryshe, lideri i AAK-së ka thënë se ku subjekt është në opozitë edhe për faktin se nuk ishte për kompromise që vlerësonte se do ta dëmtonin rëndë vendin, andaj vendosi ta mbajë qëndrimin e saj për të mos dëmtuar Kosovën. Por vendime të tilla në dëm të vendit dhe qytetarëve të saj, fatkeqësisht ka marrë qeveria , ka thënë Haradinaj, duke përmendur dy marrëveshjet, për “Zajednincën”, siç thotë ai, dhe Demarkacionin. E që sipas tij u dashtë shumë mund për të mos lejuar të kalojnë dhe të zbatohen sepse atëherë telashet do të ishin afatgjate për vendin.
Haradinaj tha se janë detyruar t’i thonin jo “Zajednicës”, mos me lëshua pe, duke kaluar edhe nëpër një situatë të zorit, siç e quajti ai, pasi nuk kishin kah t’ia mbanin, sepse po u lejua të kalonte kjo, pasojat do të ishin të përhershme dhe se as qeveritë e ardhshme nuk do të mund t’i ndryshonin. Në këtë vazhdë ai ka vlerësuar lartë edhe angazhimet e gjilanasve në kundërshtimin që iu ka bërë kësaj marrëveshje por edhe asaj të demarkacionit.
Haradinaj ka thënë se nuk ka shtet në botë që ka Kushtetutë kaq bamirëse karshi minoriteteve pakicë, si kjo e Kosovës dhe prapë një marrëveshje si “Zajednica’ është në kundërshtim edhe me këtë Kushtetutë. Një zbatim i tillë do të krijonte dy Kosova ka thënë Haradinaj, për të vlerësuar dhe falënderuar të gjithë ata që u angazhuan që kjo të stopohej.
Përndryshe, lideri i AAK-së tha se për të kaluar nga kjo situatë e rëndë, ka zgjidhje dhe se ajo është që institucionet e vendit duhet t’i lënë, t’i heqin nga rendi i ditës këto dy çështje, dhe të merren me zhvillimin ekonomik të vendit, me rend e ligj, me punë dhe nëse nuk e bëjnë këtë atëherë duhet marrë vendim për të shpallë zgjedhjet e reja.
Më pas Haradinaj iu është përgjigjur interesimit të të pranishmëve për këto dy çështje, ndërkohë kreu i AAK-s ë së Gjilanit Rexhep Kadriu, si nikoqir, ka folur për konsolidimi ne AAK-së së Gjilanit dhe për rolin e këtij subjekti politik në bashkëqeverisje me Gjilanin, duke thënë se për hisen që kanë, kanë punuar me përkushtim për mirëqenie dhe interes të qytetarëve.
Kadriu ka thënë se AAK ka treguar kulturë politike, kuadrot e saj profesionalizëm të lartë, të përkushtuar për të punuar për interesin qytetarë. AAK ka dëshmuar se është partnerë serioz, një bashkëpunëtorë i mirë në bashkëqeverisje, kuadrot e saj kanë dëshmuar profesionalizëm, që duan dhe dinë, duke dëshmuar një shembull konkret se si qeverisët mirë. “AAK eshët urë e kulturës politike në vend”, ka thënë në fund Kadriu. /2L ONLINE/