Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, në një tubim në Gjilan ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Gjilani për Kuvendin e Kosovës.
Haradinaj ka thënë se Autostrada e Gjilanit e mbetur shkret që nga 2020, është dëshmia më e qartë e dështimit dhe paaftësisë së kësaj qeverie.
“Gjilani u harrua nga Qeveria Kurti për tërë këto vite radhazi. Projektet kapitale që i nisëm ne ndaluan, ndërsa rinia po merr rrugën e mërgimit për shkak të mungesës së perspektivës. Autostrada e Gjilanit e mbetur shkret që nga 2020, është dëshmia më e qartë e dështimit dhe paaftësisë së një qeverie që s’di të bëjë asgjë përveç propagandës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj para gjilanasve ka premtuar pagë mesatare prej 1000 euro dhe pensione prej 500 euro.
“Programi ynë është konkret dhe transformues: Anëtarësimi direkt në NATO për siguri dhe zhvillim ekonomik, rritje të pagës mesatare në 1000€, pensione 500€, mbrojtje të prodhimit vendor, subvencione për eksportuesit, përkrahje secilën familje me “Pakon për Mirëqenien e Familjes”. Do të investojmë në rregullimin e lumenjve, në impiantet për ujëra të zeza, në infrastrukturën moderne që Gjilani e meriton”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se në qeverisjen e tij Gjilani ka përfituar 170 milionë euro projekte kapitale.
“Gjatë qeverisjes sonë, 170 milionë euro investime kapitale transformuan këtë qytet, që sot ka mbetur pa asnjë kujdes qeveritar. Me ekipin tonë të fuqishëm – Ahmet Isufin, Nazim Gagicën, Zarife Asllanin dhe Kushtrim Xhemailin – jemi gati të rikthejmë madhështinë e Gjilanit dhe tërë Kosovës.Është koha për veprim e ndryshim. Është koha për Kosovën Fituese”, ka përfunduar Haradinaj. /2LONLINE/