Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri homazhe dhe mori pjesë në tubimin Përkujtimor në nderim të 241 viktimave të Krushës së Madhe. Duke kujtuar edhe 64 qytetarë që ende figurojnë të zhdukur, kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, tha se edhe pas gati dy dekadave, kjo dhimbje është në zemër, në mendje dhe në jetët tona.
Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj:
Ne kemi ardhur sot në përvjetor të flijimit, të qytetarëve të Krushës së Madhe, por edhe të shumë vendeve nëpër Kosovë. Është një numër i madh i vendeve që ka shumë dhimbje. Por, Krusha dhe dhimbja këtu është e veçantë. Nuk mundemi pa e kujtuar edhe Reçakun, Prekazin, Izbicën, Obrinë, Celinën, Fortesën, Mejën, Suharekën, Kotlinën, Podujevën, Pastaselin, Samadraxhën, Leshanin, Makovcin, Kishnicën, Mitrovicën, Gjakovën, Rezallën, Qikatovën, Likoshanin, Qirezin, Lybeniqin, e kështu me radhë.
Pra, mos harroni, në tokën e Kosovës ashtu sikur kjo dhimbje që e ndjejmë sot, janë plotë vende që kanë dhimbje e janë plotë familje që e ndjejnë këtë dhimbje.
Edhe pse ka kaluar kohë, gati dy dekada, kjo dhimbje është në zemër, në mendje dhe në jetët tona. Shqiptarët kanë dëshmuar në shekuj se e kanë fuqinë për të vazhduar jetën, e kanë fuqinë për të jetuar, fuqinë për të treguar gjallërinë e vet për të mos u ndalur.
Sikur të mos ishte kështu, nuk do të ishim sot këtu, nuk do t’i kishim fëmijët që janë këtu, nuk do ta kishim Krushën, që nuk po dorëzohet, por po vazhdon të jetojë dhe të ecë përpara.
Jam i bindur se ata që nuk janë me ne, martirët tanë të pafajshëm të flijuar, por edhe profesori i nderuar Ukshin Hoti që është jo vetëm ideolog i lirisë, i së drejtës shqiptare, por edhe model i patriotit të mirë, sot, në këto ditë, do të na thoshin, mos u ndalni, shkoni përpara, si Kosovë dhe si vend!
E drejta jonë për liri u arrit. U arrit edhe me ndihmën e NATO-s, të prirë nga Amerika, por deri në ditën e intervenimit të NATO-s, shumë prej nesh u flijuam. Flijimet nuk u ndalën edhe më tutje. E sot, në emrin tuaj, por nëse jo, në emrin tim, Presidentit të Amerikës, Trump, i themi, a mundet ta përfundojë çështjen e Kosovës, që Kosova të ecë edhe më tutje, sepse ka mbetur puna e pakryer. Kështu i themi edhe kryeministres së Anglisë Theresa May, edhe Kancerales së Gjermanisë, Angela Merkel, e ndërsa presidentit të Serbisë, Vuçiq, që po thotë se duhet dhënë diçka për të njohur Kosovën, do t’i themi, çliroje popullin tënd dhe mos e mbaj me frikë të së kaluarës; kujtoje tragjedinë e popullit të Kosovës, dhimbjen e tij; kuptoji këto varre e këta njerëz që janë me dhimbje; njihe këtë dhimbje; nderoje këtë dhimbje, sepse i bën mirë popullit tënd!
Duke kërkuar për të marrë ende prej Kosovës në emër të njohjes reciproke, është gabim.
Paqja arrihet duke respektuar dhimbjen e tjetrit, duke respektuar të drejtën e tjetrit.
Ne në Kosovë, shqiptarët e Kosovës jemi të interesuar për paqe, përjetë, jemi të interesuar që të mos kthehen kurrë dhimbja dhe tragjeditë. Ne nuk dimë se çka të japim më për të drejtën tonë, për lirinë tonë, sesa njerëzit tanë që i kemi këtu dhe ata që nuk po mund t’i gjejmë ende.
Është e padrejtë për t’i kërkuar Kosovës në fazën finale për njohje, edhe diçka. S’ka ku të shkojë më Kosova. Kosova e ka respektuar angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare në maksimum. Kosova vërtet është e interesuar për jetë të qetë, stabilitet, për paqe.
Në Kosovë respektohen komunitetet. Do t’i ruajmë të gjithë, që janë njerëz të këtij vendi, edhe serbët e Kosovës, por njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të bëhet më mbi ndonjë pazar të ri, sepse s’ka mbetur më çka.
Nga Krusha, ju them të gjithëve, edhe tanëve, edhe fqinjëve, por edhe miqve, ka ardhur koha për t’i mbyllë plagët e së kaluarës në Ballkan, ka ardhur koha me u ndalë retorika, ka ardhur koha me ecë përpara. Nuk ka çka jep Kosova më shumë, sesa guximin me ecë përpara, jo me harru, sepse ai popull që harron i përsëriten, ai popull që ka guxim me ecë përpara, siç kemi pasur ne guxim më 1999 me u kthye në shtëpitë dhe trojet tona, siç kemi pasur guxim me gjithë ato dhimbje për të vazhduar jetën, ashtu siç ka guxim sot Krusha të vazhdojë jetën, ashtu duhet ne si Kosovë me pas guxim me ecë përpara, por jo duke harru. Është një dallim i madh, guximi për të ecur përpara me harresën. Harresa na bën dëm, guximi me ecë përpara na bën më të fortë.
Të nderuar krushianë, të nderuara familje të martirëve, dëshmorëve, të të pagjeturve. Për mua është nder i madhe me qenë me ju dhe mos harroni, jemi me dhimbjen tuaj çdo ditë e çdo vit.
Lavdi!
Po sot, kryeministri Haradinaj ka kujtuar dhe anëtarët e Familjes Berisha nga Suhareka, të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, 19 vjet më parë.
Kryeministri Haradinaj kujtoi edhe dëshmorët e Betejës së Landovicës, si dhe rënien e dëshmorit Njazi Azemi-komandant Mjekrra, luftëtar i orëve të para të UÇK-së dhe UÇPMB-së.
Para të pranishmëve të shumtë në këtë tubim përkujtimor folën edhe Selami Hoti, kryetar i fshatit, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe Vajdin Berisha, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.