Klubi Futbollistik “Gjilani” ka mbajtur Kuvendin e Punës më datë 02/02/2017, me ç’rast ka miratuar dorëheqjen e kryesisë së kaluar, përkatësisht donatorëve të deriatëhershëm dhe pas prezantimit të projektit investiv i cili ishte impresiv nga ana e përfaqësuesve të Kompanisë “Tali Sh.P.K”, Kuvendi unanimisht vendosi ti hapë rrugë privatizimit të klubit dhe bartës i këtij procesi Florim Zuka si kryetar klubi nga Kompania “Tali Sh.P.K”.
Ky kuvend ishte inicuar nga Këshilli Inicues i cili drejtoi klubin deri në këtë kuvend. Të ftuar ishin 31 delegatë të cilët kishin marrë pjesë edhe në kuvendin e shkuar të mbajtur në vitin 2013-të.
Pas hapjes së kuvendit është proceduar me verifikimin e delegatëve dhe zëvendësimin e atyre të cilët për shkaqe subjektive nuk kanë mundur të jenë pjesë e kuvendit.
Pas kësaj pike është vazhduar me caktimin e trupave punues të kuvendit: Kryesia e punës, Komisioni verifikues dhe Procesmbajtësi.
Miratimi i dorëheqjes së kryesisë së kaluar ishte pika e rradhës e agjendës të cilët delegatët e miratuan me shumicë apsolute të votave.
Më rradhë ishte prezantimi i projektit nga investitori i ri “Tali Sh.P.K” i cili prezantoi objektivat dhe synimet me Klubin Futbollistik “Gjilani”.
Stabiliteti financiar, zhvillimi i akademisë së klubit, luftimi për kompeticionet më të rëndësishme si trofeu i kampionatit dhe ai i kupës, licensimi i klubit për dalje në arenën ndërkombëtare, rregullimi i mardhënieve me publikun, krijimi i një administrate profesionale si dhe bashkëpunimi i pamohueshëm me tifo grupin “Skifterat” ishin vetëm disa nga pikat e këtij projekti madhështor.
Delegatët me shumica apsolute votash miratuan projektin e investitorit të ri dhe më pas e uruan atë për postin e ri drejtues në Klubin Futbollistik “Gjilani”.
Kuvendi u mbyll në mesin e shumë duartrokitjeve, derisa më pas u shtrua edhe një koktej rasti.
Këshilli Inicues
04/02/2017