SHefik Surdulli zëdhënës i komunës ka bërë me dije se rruga që ka një gjatësi 5 km ka qenë e pakalueshme deri tani, por i është dashur vetëm katër ditë kompanisë “Bejta Comerce” që ta bëjë atë të kalueshme edhe për veturat.
Ai tha se ky projekt është kryer në kuadër të mirëmbajtjes verore të rrugëve të komunës së Gjilanit, ku komuna kishte angazhuar kompaninë “Bejta Comerce” që të hap këtë rrugë mjaftë të rëndësishme.
Ndryshe, për kreun komunal të Gjilanit Qemajl Mustafa, ky është vetëm një përkushtim i pushtetit për ti realizuar premtimet e saja se fshatrat e brezit kufitar do të jenë më prioritet në rregullimin e infrastrukturës rrugore dhe përmirësimin e qarkullimit më të lirshëm.
Mustafa ka thënë se do të vazhdohet edhe më tutje të investohet në këto zona sepse vetëm në këtë mënyrë u kthehet shpresa atyre pak familjeve që kanë mbetur atje.
”Stublina është një vend piktoresk me një natyrë të mrekullueshme dhe mund të shfrytëzohet edhe për vikende familjare. Por mbi të gjitha kjo rrugë ua mundëson familjeve të Stublinës që kanë migruar në Miresh që ta punojnë tokën e tyre. Do të vazhdojmë të investojmë në fshatrat e brezit kufitar për t`ua lehtësuar komunikimin dhe qarkullimin banorëve të mbetur atje”, ka thënë Mustafa.
Edhe, Fadil Osmani menaxher në zyrën e projekteve tha se riparimi i kësaj rruge për banorët e Stublinës dhe të Mireshit ka një domethënie shumë të madhe pasi dhjetëra familje stublinase që jetojnë në Miresh tash e tutje mund të punojnë tokat e tyre dhe mund t`i kthehen edhe jetës në fshatin e tyre.
Ndërsa Musli Zeqiri banor nga Stublina i cili tani jeton në Miresh tha se tani vërtet e kanë më lehtë që ta punojnë tokën sepse rruga e vjetër ishte dëmtuar shumë.
“Kam katër hektar tokë dhe shumica ishte djerrinë, meqë nuk mund të dilja ta punoja, por rruga e riparuar më jep shpresa të mëdha për punimin e tokës” ka thënë Zeqiri.
Lulzim Bajrami gjuetar nga fshati Miresh tha se rregullimi i rrugës do ta frekuentojë edhe më shumë këtë sport i cili zhvillohet në malet e Stublinës pikërisht në saje të natyrës mahnitëse që ka, derisa Halim Hasani historian nga Dobrosini, tha se rruga e riparuar ka një domethënie edhe për këtë fshat shqiptar që ndodhet në vijën kufitare me Kosovën./2lonline/