Gjashtë shfaqje nga trupat përkatëse profesioniste të teatrove të mbarë hapësirës kombëtare, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut e Luginë e Preshevës, për gjashtë ditë me radhë do të prezantohen para artdashësve gjilanas, në konkurrencë garuese për pesë çmime të parapara.
Migjen Fazliu, drejtor i Organizatës Joqeveritare “Varg e Vi”, e cila është organizatore e festivalit të dramës “Talia e Flakës 2024”, në hapje të këtij festivali i njoftoi mysafirët prezentë me programin e paraparë.
“Ky festival mbetet njëri nga manifestimet më të rëndësishme kulturore në vendin tonë. Në këtë edicion do të shihni gjashtë shfaqje të cilat do të garojnë për pesë çmime: – Tekstin më të mirë; – shfaqjen më të mirë; – regjinë më të mire; – rolin më të mirë, dhe – novacionin më të mirë teatror”, tha ai.
Fazliu më tej njoftoi se festivali është bërë me pagesë simbolike, ndërsa mjetet e grumbulluara do të destinohen për vet teatrin e Gjilanit, gjegjësisht digjitalizimin e biletarisë, vendim ky, i cili sipas tij nuk ka qenë aspak i lehtë, por imperativ dhe i domosdoshëm për kohën e digjitalizimit që po e jetojmë.
Hapjen zyrtare të festivalit “Talia e Flakës 2024” e bëri artizanja, Bedrije Shurdhani, e cila simbolikisht vuri në pah domosdonë e promovimit të punës tradicionale shqiptare.
Me këtë rast ajo ftoi në skenë aktorin e mirënjohur nga Turqia, me origjinë nga Gjilani, Orhan Kurtundum, të cilit i dhuroi një kasnak me shqiponjë kuq e zi – punim dore.
“Jam artizane tradicionale që për dekada me radhë kam qëndisur dhe krijuar lloj -lloj produktesh punë dore me elemente tradicionale, si veshëmbathje e dekore, kasnakë etj. Këtë punë e bëjë me pasion. Me plotë shpirt dua të theksoj se tradicionalja duhet të ruhet e të mbrohet në mënyrë institucionale. Në kohën kur përparimet shkencore ndryshojnë vazhdimisht stilin e jetës sonë, është thelbësore të kuptojmë se gjërat tradicionale dhe të vjetra, përbëjnë pasurinë që na lidhë me kujtimin dhe identitetin tonë kolektiv”, tha ajo.
Në hapje të edicionit të 33-të, para ardashësve gjilanas, jashtë konkurrencës zyrtare është risjellur drama e autores britanike, Sara Hehir “Kopshti i hijeve”, e vënë në skenë kohë më parë nga regjisorja e natyralizuar angleze me origjinë polake, Nastasja Domaradzka me ansamblin e Teatrit të Qytetit të Gjilanit.
Edhe pse jashtë konkurrencës zyrtare, shfaqja u mirëprit nga audienca pasi është e bazuar në ngjarje të vërtetë, gjegjësisht e shkruar mbi tregime për masakrën ndaj familjes Bogujevci në Podujevë, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Familja Bogujevci u vra mizorisht më 28 mars të vitit 1999, nga pjesëtarët e një njësie paraushtarake serbe të njohur si “Akrepat”, ku viktima më e re ishte dy vjeçe!
Në natën e dytë të festivalit “Talia e Flakës 2024”, para artdashësve gjilanas e shumë më shumë se kaq, prezantohet shfaqja e përbashkët e realizuar nga aktorë të tri trupave teatrale: Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Shqiptar i Maqedonisë së Veriut dhe Teatri Kombëtar i Kosovës, e cila shfaqje po pritet me padurim nga publiku gjilanas i mishëruar me teatrin.
Festivali i Dramës “Talia e Flakës 2024”, do të vijoj me shfaqjen e teatrit të Preshevës, gjegjësisht dramën e shkruar nga “pena e mprehtë” e autorit Naser Shatrolli, “Grafitet”, për t’u pasuar një ditë më vonë me shfaqjen “Hana po fluturon” nga teatri “Adriana” i Ferizajit.
Ndërsa më pas programi i paraparë i festivalit vijon më 27 janar me shfaqjen “Arbri” nga teatri “Oda” i Prishtinës, për t’u pasuar dhe përmbyllur më 28 janar me shfaqjen “Club Albania” nga trupa teatrale e Teatrit Kombëtar të Kosovës. /2LONLINE/