Fatmir Shurdhani, menaxher i Shoqatës Handikos në Gjilan, ka bërë me dije se ka pritur në një takim një delegacion nga Caritas Kosova, përfaqësuar nga koordinatori i projektit Societies Caritas Kosova, Orhan Miftari dhe zonja Silva Ferrati nga Torino e Italisë.
Te dy zyrtarët u priten në ambientet e Handikosit në Gjilan. Tema e takimit ishte: “Analiza e projektit të shtatorit 2017 dhe shtator 2018”, projekt ky i cili ishte në bashkëfinancim nga Komuna e Gjilanit gjegjësisht Drejtoria për shëndetësi dhe mirëqenie sociale.
“Në takim, përveç informatave që morën nga ne për projektin, padyshim se u diskutua edhe situata e tanishme e Handikosit, e cila është në një situatë shumë të rëndë financiare. Të dy zyrtarët shprehen keqardhje për gjendjen e tanishme të Handikosit dhe thanë që të paktën institucionet lokale do duhej ta mbështesin derisa të gjendet ndonjë rrugë zgjidhje tjetër financiare”, ka thënë Shurdhani.
Handikos, vitin 2020 e ka filluar me punë në baza krejt vullnetare sepse Drejtoria e Shëndetësisë nuk i ka lëshuar të gjitha mjetet e parapara të vitit 2019 sipas marrëveshjes që ka pas Handikos me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan.