Duke iu referuar projektit infrastrukturor që është në realizim e sipërm, nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, në drejtim të qendrës së qytetit, drejtuesit e Shoqatës Handikos, vlerësojnë se ashtu siç është duke u realizuar, trotuaret janë të ngritura dhe ua pamundësojnë qasjen e lirë, personave me aftësi të kufizuara.
Fatmir Shurdhani, drejtues i Shoqatës Handikos ka thënë se Komuna e Gjilanit këtyre ditëve ka filluar përmirësimin e trotuareve nga udhëkryqi te Universiteti “Kadri Zeka”, në drejtim të qendrës së qytetit.
“Auditimin të cilin e kam bërë sot atyre trotuareve më rezulton që komuna e Gjilanit i diskriminon personat me aftësi të kufizuara, aty ku ka diskriminim është e dënueshme me ligjet aktuale. Përgjatë gjithë rrugës së punuar deri me tani trotuaret që ndajnë rrugën kryesore janë të ngritura jashtë standardeve dhe ua pamundësojnë qarkullimin e lirë të personave me aftësi të kufizuara e në veçanti përdoruesve të mjeteve ndihmëse”, ka thënë Fatmir Shurdhani.
Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë vetëm me personat me aftësi të kufizuara, por edhe për të moshuarit, për motrat tona, nënat tona, të cilat përdorin karroca për fëmijë. Nga kjo del se edhe Universiteti “Kadri Zeka” është i karantinuar për personat me aftësi të kufizuara.
”Ne, edhe në mesazhin qe I kemi përcjellë përmes Whats App, kryetarit të komunës, i kemi sugjeruar që të respektojë udhëzimin administrativ 33/ 07 për qasjen arkitektonike për trotuar edhe objektet publike, për personat me aftësi të kufizuara, nga ana e tij nuk kemi marre përgjigje. Andaj kërkojmë që për derisa janë duke u zhvilluar punimet ne atë rrugë të merren masa dhe të ndërhyjnë në përmirësimin e barrierave të krijuara, përndryshe detyrohen përdoruesit e mjeteve ndihmëse të ndërmarrin aksionin në eliminimin e barrierave të krijuara nga ana e komunës”, ka thënë Fatmir Shurdhani, menaxher i Shoqatës Handikos. /2LONLINE/