Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka vizituar sot Stacionin Policor në Viti, për të parë nga afër monitorimin e kamerave të vëzhgimit të cilët janë vendosur në qytetin e Vitisë.
Ai aty është pritur në takim nga zyrtarët policorë në krye me Komandantin e Stacionit Policor, Kapiten Afrim Halili, ku është njoftuar edhe me mënyrën e monitorimit dhe rëndësisë që kanë ato për sigurinë publike.
Komandanti Halili theksoi se i gjithë monitorimi është shumë i sigurt dhe nuk cenohet e drejta e asnjë qytetari, përmes këtyre incizimeve që bëhen, pos në raste kur nevojiten për hetime të ndonjë rasti eventual që bie ndesh me ligjin.
Përndryshe në qytetin e Vitisë, konkretisht në disa vende janë vendosur kamera të vëzhgimit dhe ky projekt është mundësuar në kuadër të bashkëpunimit të komunës së Vitisë me UNMIK-un dhe policinë.
Sipas përfaqësuesve komunale do të shikohen mundësitë që vendosja e kamerave të vëzhgimit të bëhet edhe në disa lokalitete të kësaj komune si në Pozheran. /2LONLINE.com/