Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti është takuar sot me Ministrin për Kulturë, Rini dhe Sport të Republikës së Kosovës, Kujtim Shala. Gjatë këtij takimi ata kanë nënshkruar një memorandum ku parashihet një investim nga kjo ministri në vlerë prej 309.622.00€ .
Sipas drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, Kaltrina Sylejmani me këtë memorandum do të bëhet renovimi i Shtëpisë së Kulturës “ Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti. Sipas memorandumit të paraparë në këtë projekt do të participoj edhe Komuna e Vitisë dhe atë me 15 mijë euro.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se investimi në Shtëpinë e Kulturës në Viti është i domosdoshëm dhe në interes të qytetarëve pasi që këtë objekt e shfrytëzojnë qytetarët e kategoritë e ndryshme të shoqërisë, duke filluar nga artistet, sportistët, të rinjtë, shoqatat e ndryshme e shumë të tjerë.
“Me të vërtetë nënshkrimi i këtij memorandumi është një lajm i mirë për qytetarët e komunës sonë, pasi që brenda saj zhvillohen aktivitete të shumta në interes të qytetarëve tanë dhe atë në fushat nga më të ndryshme. Me këtë rast dua të falënderoj MKRS-në e në veçanti ministrin Shala për gatishmërinë që të investoj në shtëpinë e kulturës në Viti” u shpreh Haliti.
Kurse drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Kaltrina Sylejmani ndër tjerash tha se investimet në objektin e shtëpisë së Kulturës do të bëhen në të ardhmen edhe atë nga Komisioni Evropian duke pohuar se ajo ka marrë konfirmimin nga ky institucion. Përndryshe në Raportin e Mozaikut të Kosovës më parë DKRS-ja e Vitisë, është vlerësuar si drejtoria më e suksesshme nga perceptimet e marrë prej qytetarëve të anketuar.