Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka mirëpritur shërimin e dymbëdhjetë personave nga virusi COVID-19 nga kjo komunë, duke e quajtur këtë lajm të mirë. Por, ka shprehur keqardhje për një rast i cili në testimin e mbrëmshëm doli pozitiv.
Në takimin e rregullt të Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, kryetari Haliti njoftoi se deri tani në Komunën e Vitisë ka pasur 53 raste të personave me Koronavirus, 19 prej tyre janë shëruar, kurse 34 raste janë aktive.
Sipas tij, institucionet komunale që po merren me menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia, ndihen më të lehtësuara dhe presin t’i kthehen normalitetit, por ka thënë se duhet vëmendje, pasi rreziku nuk ka kaluar plotësisht.
Poashtu u vendos të vazhdohet masat e zakonshme si mbështetja e familjeve me gjendje të rrezikuar financiare dhe me pastrimin dhe klorifikimin e rrugëve dhe hapësirave publike.