Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta -XXVII-
Reis Mirdita
I refuzuar dhe i pështyrë, njeriu xhinde i metamorfozuar në mulla, nuk e përbiu kurrë këtë humbje krenarie që kishte në radhët e qenieve të errëta. Për njerëz nuk e kishte dert se as që do të përhapej shumë kjo punë ngaqë turpi do të binte mbi gruan që i kërkoi të zgjidh ushkurin si dhe mbi tërë familjen e saj.
Me rënien e territ, xhindja doli nga trupi i tij drejt e pas shtëpisë ku me ardhjen e tyre këtu, kishte mbi një shelg lotues dhe ku kjo familje kishte hapur një gjiriz për evakuimin e të larave.
Aty kishin një çezme dhe verë e dimër lanin enë e veshmbathje. Gjirizi i thellë mandej i mbushur me gurës, thithte të gjithë llumin dhe fundërrinat e derdhura në të. Mu këtu mblidheshin xhindet dhe njerëzit-xhinde!
Këtu ndaheshin detyrat për çdonjërin nga celula e përbërë prej afro tridhjetë qenie të dy llojeve e nganjëherë aty sillej ndonjë njeri që ishte përfshi plotësisht nga ta dhe i cili spiunonte e ngatërronte më të ngratët e më të dobëtit në radhët e njerëzve.
Pas mesnate, grupi u shpërnda për të kryer detyrat e caktuara si dhe për iniciativa qëllimkëqija të ndryshme individuale. Jolandës ia mësynë dy femra nga raca xhinde-njeri dhe një mashkullxhinde që njëherësh ishte partner seksual i Zikanës me të cilin ajo do t’i lind në të ardhmen, të gjithë fëmijët e saj.
Të tre të mbuluar me do çarçafë të zi duke lënë t’u shishen vetëm eshtrat e duarve, sallakoheshin rreth shtëpisë herë për tokë herë duke fluturuar në lartësi të dritareve, duke lëshuar zëra lakuriqësh apo ulërima çakallesh. Jolanda në gjumë u kaplua nga një ëndërr të trishtueshme, rënkonte dhe mundohej të ikte, të çlirohej nga kthetrat e disa qenieve të çuditshme që kur nuk i kishte parë a paramenduar ndonjëherë.
Njëra syresh, u shndërrua në gaforre të tmerrshme, iu zhyt në bark dhe i shqeu mitrën. Jolanda ndjeu dhimbje të papërshkrueshme! Arriti disi të klithë e zgjoi të shoqin i cili me të shpejtë ndezi dritën dhe…, ç’të sheh?!!!
Tmerr. Shtroja e mbuluar me gjak. Jolanda humbi vetëdijen. Ai disi mbajti veten; ndërroi veshjet e gruas duke i vendosur vatë për të ndaluar gjakderdhjen. Në kërthizë e poshtë dukeshin plagët e hapura sikur me shtizë apo kërrabëz të madhe.
Pas një javësh, Jolanda u kthye nga spitali. Varrët ishin në shërim e sipër por askush nuk vërejti se asaj i mungonte një organ! As ajo vet nuk dinte realisht gjë por jetonte me një të vërtetë pa pasur dijeni reale: Në ëndrrën e asaj nate, qeniet e panjohura ia kishin ngrënë mitrën!
Kjo ishte hakmarrja e mullës. Ajo kurrë nuk do të ketë fëmijë.
(Në moshën dyzetvjeçare, Jolanda birësoi një djalë).
(Vazhdon)