Shkruan: Selvete Abdullahu – Psikologe
Njerëzit në përgjithësi, shpesh nuk arrijnë të socializohen për shumë arsye dhe të ndikuar nga disa faktorë të brendshëm siç është karakteri, temperamenti dhe personaliteti poashtu edhe nga faktorët e jashtëm të cilët e kanë ndikimin e tyre në vet njeriun.
Në këtë rast gjithnjë duke u bazuar në formimin e tij jetësor dhe mënyrën e jetesës në të kaluarën dhe duke mos e pranuar stilin e jetesës në ditët e sotme. Ndryshimet sa janë të mira po aq edhe sjellin vështirësitë e tyre në shikim të parë. Në këtë rast po flasim për një kategori të caktuar të njerëzve. Disa individ e pranojnë me vështirësi ndryshimin ose nuk e pranojnë fare. Ka të tillë që jetojnë me vite të tëra në një vend apo ambient dis-harmonik pa qenë të gatshëm të ndërmarrin iniciativën për ndërrim ose ndryshime tjera të nevojshme në jetën e tyre.
Normal që ambienti toksik është i dëmshëm për shëndetin mendor e fizik të vet individit, por faktorët e brendshëm në disa raste të veçanta janë aq të fuqishëm sa nuk arrin njeriu t’i lufton dhe kështu vazhdon të jetoj njëjtë pa marrë parasysh gjendjes së krijuar në shtëpi apo rreth social.
Disa individ pranojnë të qëndrojnë në një vend edhe pse jeta e tyre është e zymtë. Këta persona nuk kanë thjeshtë guximin për ndryshime apo kanë frikën e ndryshimeve dhe mospërshtatjes. Kjo natyrë njerëzore me tipare të tilla të personalitetit e ka më të vështirë jetën, por edhe socializimin sepse me disa ide konvencionale shpesh disa individ i humbin vetës shumë mundësi më të mira, por edhe lehtësira të tjera që shkojnë paralel me stilin e jetesës.
Duke njohur tiparet e personalitetit tek individët ne njohim edhe sjelljen e tyre të përgjithshme dhe çka presim prej personave të caktuar. Shpesh njerëzit e tillë janë më të mbyllur (konzervativ) dhe kjo i bën më të largët, në raporte të ftohura në shkollë, punë e rrethin e gjerë shoqëror. Thjeshtë në raste të tilla mos shprehja e ideve e mendimeve të lira dhe ndrydhja e gjërave, ja humb peshën e zgjidhjes së çështjeve të caktuara, problematikave dhe interesave të rëndësishme në jetë. Situatat e tilla që pasojnë shpiejnë deri te jeta rutinore, pa asnjë ndryshim.
Njerëzit që kanë vizione, e kanë guximin, lirinë e mendimit, dëshirave të tyre, përballen, i mbrojnë idetë e tyre, i justifikojnë mendimet me fakte, luftojnë për të përmbushur objektivat e tyre. Ata/ato kërkojnë ndryshime progresive dhe ecin me shpejtësi drite përpara. Pa e kthyer kokën asnjëherë mbrapa, pa i parë rivalët të denjë si dhe pa shkelur mbi fatkeqësinë e tjetrit.
Nëse njeriu rri në një vend dhe pret që fati t’i sjell diçka të madhe, assesi nuk ka me gjet atë mrekulli që dëshiron, prandaj në bazë të objektivave që njeriu i parashtron vetes duhet të punoj, veproj e angazhohet maksimalisht për realizimin e tyre. Pra, duke krijuar mundësi bashkëpunimi, komunikimi të ndërsjellë e socializimi me të tjerët. Kjo është mundësia e vetme për finalizimin e objektivave që i parashtron vetes individi në jetë, pavarësisht pengesave e sfidave që dalin në rrugën e tij / saj.
Nëse nuk vepron, nuk ke as sfida. Krejt normale dhe e kuptueshme është kjo çështje. Pas çdo vështirësie gjithmonë ka shpresa për lehtësira, kënaqësi që të ofron puna dhe suksesi, kurse nëse nuk sfidohemi në jetë nuk do të kemi as peripeci, por as pritshmëri sepse vetëm ndryshimet progresive sjellin risi. Asgjë nuk arrihet në jetë pa përpjekje dhe këmbëngulësi kur vërtetë kemi të drejtë dhe luftojmë me forcat tona. Nëse heqim dorë nga ambiciet e shëndosha atëherë jemi dorëzuar në start dhe sigurisht që nuk do të kemi as ndryshime, as risi, por as rezultate.
Njerëzit jetojnë në fakt për një mirëqenie më të mirë socio – ekonomike, familjare dhe të përgjithshme, prandaj e shohin veten në mënyra të ndryshme jetese. Dikush më mirë e dikush më dobët varet edhe prej iniciativave që merr, guximit dhe vizioneve që ka për veten, familjen dhe shoqërinë në përgjithësi. Prandaj, asgjë nuk i lihet kohës dhe qëndrimit duarkryq ose fatit.
Njerëzit duhet të ndërveprojnë me të tjerët dhe të socializohen, por nëse nuk e bëjnë këtë atëherë edhe rezultatet e punës së tyre do të jenë të ulëta. Sjellja antisociale është e dëmshme në shumë aspekte të veprimtarisë dhe jetës së njeriut në përgjithësi.
Një gjendje dhe sjellje e tillë antisociale vërehet dukshëm në ndërrim të vendbanimit ku shumë njerëz nuk arrijnë të socializohen me rrethin social, ku përfshihen në të njëjtën kohë edhe ndërrimi i shkollës, i punës dhe ndërrimi i shumë gjërave tjera përreth duke përfshirë edhe rrethin social i cili është shumë i rëndësishëm.
Zakonisht njerëzve u duhet një periudhë relativisht e mesme për t’u përshtatur me ambientin e ri. Disa individ janë të prirur të përshtaten më lehtë në situata të tilla duke u bazuar se janë edhe më konformist në jetën reale, kurse disa të tjerë e kanë më të vështirë pranimin e rrethit të ri dhe përshtatjen. Pra, siç e ceka më lartë varet edhe prej formimit personal, karakterit e temperamentit.
Secili ndryshim tek njeriu krijon ndjesi të reja. Tek disa njerëz ndryshimet e vendbanimit krijojnë ndjesi të mira e rifreski, kurse tek disa të tjerë jo, është e kundërta. Shpesh ndodh që njerëzit kanë nevojë të ndërrojnë vendbanim për shkak të shumë rrethanave të jetës si psh. shkollimi, punësimi dhe shtytjet tjera të natyrave të ndryshme. Por, sa është i efektshëm socializimi në këtë rast?
Si e perceptojnë dhe si e pranojnë njerëzit këtë pjesë?
Nëse ne kërkojmë harmonin në rrethin e ri social sigurisht se do ta gjejmë. Pikë së pari nëse vet jemi të gatshëm për ndryshim dhe pranim, nëse sjellja jonë është e kujdesshme dhe edukative, nëse veprojmë me ndjenja të mirësisë atëherë edhe sjellja e të tjerëve kundrejt neve do të përcillet shpeshë me formën e njëjtë duke përjashtuar rastet e veçanta. Meqë në raste të tilla matjet vlerësohen në bazë të shumicës.
Shikuar nga prizmi tjetër jo gjithmonë njerëzit i udhëheq objektiviteti. Shpesh ata/ato dinë të jenë subjektiv/e, prandaj nuk arrijnë të përshtaten me të tjerët, në një rreth të ri shoqëror dhe ndodhim paqartësi e konflikte. Për të pasur një jetë sa më harmonike me të tjerët duhet nisur dhe ndryshuar nga vetja për të pritur ndryshimet e nevojshme edhe nga të tjerët. Thjeshtë për të marrur impaktin.
Sjellja, edukata dhe mirësjellja as nuk blihen e as nuk shiten, ato formohen, zhvillohen dhe realizohen me fazat e zhvillimin të njeriut, prandaj duhet të kemi kujdes se si të sillemi me të tjerët dhe çfarë situata i krijojmë vetes me sjelljen tonë.
Ndjenjat e mirësisë nuk i kushtojnë asgjë njerëzve, përkundrazi reflektojmë pozitivitetin dhe gatishmërinë për t’i zgjatur dorën të tjerëve në momente krize dhe të vështira. Altruizmi është pjesa njerëzore që e pasqyron vet individin, prandaj bëhu i mirë dhe prit që e mira të kthehet, por edhe nëse nuk të kthehet së paku te jesh i qetë me ndërgjegjen tënde, i kënaqur me veprimet e tua sjellore dhe përgjithësisht me veten. Pra, gjithnjë duke e ditur se ke vepruar drejtë, ke bërë diçka të mirë, të dobishme për shoqërinë dhe progresive në jetë.
Prandaj, puno që të jesh i dobishëm për veten e shoqërinë.
Prano ndryshimet, ec me kohën.
Të jesh mendjehapur dhe me iniciativa të dobishme.
Prano mendimet dhe qëndrimet ndryshe.
Prano socializimin në çdo vend ku jeton.
Paqe me veten dhe paqe me tjerët. /2LONLINE/