Komisioni për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër i Degës së LDK-së në Gjilan ka mbajtur sot konferencë për mediat, në emër të të cilit ka folur Fitim Guda.
“Nuk po rreshtin gabimet në Komunën e Gjilanit nga paaftësia e kësaj qeverisje komunale. Dita e mirë shihet në mëngjes, andaj në këta muaj të parë po shohim vetëm bllokim të punëve nga mosdija, asgjë më shumë. Ata e rikthyen depresionin ekonomik dhe kjo është tepër shqetësuese”- tha Guda para medieve.
Sipas tij, është i papranueshëm organizimi i panairit “E JONA” në atë mënyrë. Në kohën kur Gjilanit i mbushen rrugët me bashkatdhetarë tanë, në vend se të krijohen hapësira për ta siç ndodh në çdo komunë, rruga jonë kryesore bllokohet duke shkaktuar tollovi në komunikacion dhe rrezik për qytetarët ngase ajo rrugë është arteria kryesore që lidh qytetin me spitalin dhe QKMF-në.
““Muri ndarës” në qendër të qytetit nuk paraqet pamje të mirë për asnjë qytetarë tonin, sepse shqiptarët nuk kanë histori te mira me mure të tilla ndarëse. Nuk edukohen qytetarët e Gjilanit në atë mënyrë. Ata janë të prirur të respektojnë shenjat e komunikacionit, e muri i ndërtuar nuk është pjesë e tyre, andaj edhe nuk e respektojnë”, ka thënë tutje ai.
Guda shtoi se, Kryetari i Komunës, në vend se të bëjë presion në Prishtinë për projekte madhore, merret me arnim të rrugëve të qytetit. Ai duhet të jetë prijës i projekteve për Gjilanin e Anamoravën, por si duket këtë kompetencë e ka kaluar te kryetarët e komunave më të vogla fqinje.
Është, poashtu, e papranueshme, thotë Guda, shkëputja e kontratës së stadiumit në këtë fazë me arsyetimin se niveli qendror nuk ka mjete të mjaftueshme për këtë projekt. Më këtë kauzë të rrejshme erdhën edhe në pushtet, por mos harroni se qytetarët, klubet e tifozët ju mbajnë mend.
“Gjilani ka nevojë për një kryetar që sjell investime në Komunë, e jo për disa djem të rinj që nuk e kanë as idenë se si qeveriset një komunë si Gjilani”, ka thënë Fitim Guda i LDK-së. /2LONLINE/