Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë të ditur se Polica e Kosovës është njoftuar për një rast “Rrahje” te një pompë e derivateve në Gjilan.
“Nga hetimet e para mësohet se i dyshuari, shtetas i Kosovës, pasi takohet me ankuesin, shtetas të Republikës së Shqipërisë, si dhe vajzen e tij me të cilën ishte i fejuar, fillojnë një fjalosje të ashpër dhe pastaj i dyshuari e sulmon babain e të fejuarës duke e goditur me grusht në kokë ku edhe i shkakton një plagë në pjesën mbi vetullën e syrit të majtë”, thotë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, viktima ka kërkuar ndihmën e mjekut. “Ankuesi vjen në stacionin policor këtu në Gjilan ku denoncon rastin, ndeësa patrullat e policisë arrijnë që te dyshuarin ta arrestojnë”, thotë Ismet Hashani.
Me vendim të prokurorit të Shtetit rasti inicohet si “lëndim i lehtë trupor” dhe procedohet në Gjykatë në procedurë të rregullt.