Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, grupi i Miqësisë Kosovë-Francë, i përbërë nga deputetët: Enver Haliti, kryetar i këtij grupi,anëtarët Time Kadriaj e Elmi Reqica, si dhe anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Arbër Rexhaj e Anton Çuni, pritën në takim një delegacion të Senatit francez.
Deputetët falënderuan shtetin e Francës për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin që ka dhënë për Kosovën, duke vijuar në tutje diskutimin për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit mes këtyre dy vendeve.
Temë diskutimi në këtë takim ishte lufta në Ukrainë, dialogu me Serbinë, me theks të veçantë Marrëveshja e Ohrit, integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, të drejtat e komuniteteve në Kosovë, si dhe shumë çështje tjera që u ngritën gjatë diskutimit nga të dyja palët.
Delegacioni nga Kosova kërkoi nga delegacioni dhe shteti i Francës që ta përkrah Kosovën në agjendën evropiane, anëtarësimin në NATO dhe në organizata tjera ndërkombëtare.
U theksua gjithashtu nevoja për zhvillimin e mëtejmë të diplomacisë parlamentare midis dy vendeve.
Delegacioni i Senatit francez, ishte i përbërë nga Hélène Conëay Mouret, senatore e cila përfaqëson francezët që jetojnë jashtë Francës dhe sekretare e komisionit për Punët e Jashtme, Mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura, Michelle Gréaume, senatore për veriun e Francës (Hauts-de-France) dhe anëtar i Komisionit për Punët e Jashtme, Mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura, Olivier Cigolotti, senator për Haute-Loire (Auvergne-Rhône-Alpes) dhe zëvendëskryetar i komisionit për Punët e Jashtme, Mbrojtjen dhe Forcat e armatosura, Bernard Fournier, senator për Loire (Auvergne-Rhône-Alpes) dhe anëtar i komisionit për Punët e Jashtme, Mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura, si dhe Benoît Heurtel, administrator i Komisionit për Punët e Jashtme, Mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura.
Në takim delegacionin francez e shoqëroi ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot. /2LONLINE/