Sot me përkrahjen e institucioneve komunale të Vitisë, Grupi i Grave të Vitisë ka mbajtur një takim falënderues me familjarë të dëshmorëve.
Në fjalën përshëndetëse nënkryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu tha se kjo është më e pakta që mund të bënë institucionet komunale për kontributin e familjarëve të tyre të dhënë gjatë luftës
“ Përmes këtij takimi ne dëshirojmë të shprehim një falënderim të veçantë për kontributin e dhënë të familjarëve tuaj për lirinë e vendit. Ta dini se ne gjithmonë ju jemi mirënjohës atyre por edhe juve familjarëve të dëshmorëve për atë se çka keni bërë për popullin shqiptar”, u shpreh zv. Kryetari Aliu.
Ndërsa Qemajl Rexhepi -kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve falënderoi Grupin e Grave dhe institucionet komunale për iniciativën dhe u shpreh se ky aktivitet ka një domethënie të madhe në veçanti për vlerësimin që po ju bëhet familjarëve të çlirimtarëve të vendit.
E Valbona Haziri -Kryetare e Grupit të Grave të Vitisë falënderoi institucionet për përkrahjen dhe familjaret e dëshmorëve që ju janë përgjigjur kësaj ftese e cila sipas saj është organizuar në muajin nëntor që tek historia e popullit shqiptar ka një domethënie të veçantë.