Sot punëtorët e Kompanisë Rajonale për Ujë “Hidromorova” në Gjilan kanë mbajtur grevë njëorëshe, me kërkesat që ia kanë parashtruar menaxhmentit të Kompanisë, ka bërë me dije Orhan Selmani, kreu i Shoqatës Sindikale të kësaj Kompanie.
“Përkundër vullnetit tonë për mos mbajtje të grevës ishim të detyruar ta bëjmë këtë sepse ndjehemi të injoruar në kërkesa tona nga menaxhmenti aktual. Këtë e bazojmë duke filluar nga kërkesat e mëhershme për përmirësimin e kushteve tona të punës”, thotë ai.
Ai ka përmendur disa prej kërkesave që i kanë e që ia kanë adresuar menaxhmentit të Kompanisë.
“Kemi kërkuar nivelizimin e pagave sipas vendeve të punës dhe kualifikimit. Poashtu gjatë kohës së pandemisë edhe pse kemi punuar pa ndërprerje të procesit të punës kemi kërkuar stimulim (ndihmë) për të gjithë punëtorët, pasi qeveria gjegjësisht Ministria e Ekonomisë ka ndarë mjete për kompaninë tonë e nga të cilat mjete asgjë nuk i është ndarë punëtorëve, si dhe poashtu gjatë muajit dhjetor 2021 prapë kemi kërkuar ndihmë nga kompania, rritje të pagave dhe ndihmë për fundvit për shkak të shtrenjtimit të shportës së konsumatorit”, ka thënë Selmani në emër të udhëheqësisë së Shoqatës Sindikale.
Përndryshe, ai përmendi edhe pakënaqësitë rreth hapjes se konkursit për pranimin e punëtorëve te rinj edhe pse siç thotë ai “jemi te bindur se ky numër i punëtorëve të kërkuar ka mundur dhe mundet te zëvendësohet, në disa vende me punëtorë të brendshëm të kompanisë”.
Selmani shtoi se kërkesat e tilla nuk kanë gjetur mirëkuptim andaj do të vazhdojnë me grevë edhe në ditët në vijim. /2LONLINE/