Gjyqtarë të huaj do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në basketboll, me të cilën edhe nis pjesa e dytë e këtij edicioni pas një pauze prej tri javësh.
Arsyeja e angazhimit të gjyqtarëve të huaj nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), është bojkoti i atyre kosovarë.
Vendorët qysh muajin e shkuar kanë paralajmëruar bojkotin e ndeshjeve nëse FBK-ja nuk ua shlyen borxhet që ka ndaj tyre. Në atë takim, gjyqtarët kosovarë kishin kërkuar që të shlyhen borxhet ndaj tyre deri në fund të vitit, duke paralajmëruar bojkotin e ndeshjeve të Superligës për pjesën e dytë nëse nuk ndodh një gjë e tillë.
Pasi nuk janë shlyer të gjitha borxhet, gjyqtarët kanë refuzuar të ndajnë drejtësinë dhe nuk kanë pranuar marrëveshjen e ofruar nga FBK-ja, në takimin e fundit të mbajtur gjatë kësaj jave.
Kështu, FBK-ja ka reaguar dhe ka angazhuar gjashtë gjyqtarë të huaj, të cilët do të ndajnë drejtësinë në katër ndeshjet e këtij vikendi. Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të premten ka konfirmuar angazhimin e të huajve, por nuk ka zbuluar se nga cili shtet vijnë.
Ajo ka thënë se pas bojkotit të vendorëve, FBK-ja ka kontaktuar me FIBA-n për t’u dakorduar që të angazhojë gjyqtarë nga jashtë, të cilët vijnë prej vendeve ku ende nuk ka filluar pjesa e dytë e stinorit.