Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve K. Gj., G. B., A. I., M. U., dhe Sh. L.
I akuzuari K. Gj., duke qenë në pozitën e Komandantit në Stacionin Policor në Gjakovë, me datë 14.11.2018, rreth orës 02:55 minuta, në objektin e Stacionit Policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar tani të dëmtuarin M. R. nga Prishtina, në atë që mënyrë që derisa i njëjti ishte i arrestuar dhe prangosur, për shkak të dyshimit se kishte kryer vepra penale (raporti policor: 2018 – EA – 1248 dhe 2018 – HRGJ – 60), e godet me grushte në dorë dhe fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme.
Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizime publike”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Të akuzuarit G. B., A. I. dhe M. U. , gjatë detyrës zyrtare, si zyrtarë policor, kanë keqtrajtuar tani të dëmtuarin M. R., në atë mënyrë që përderisa i njëjti ishte arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer vepra penale, me qëllim që të nxjerrin informacione, të dëmtuarin godasin me duar dhe këmbë në pjesë të ndryshme të trupit.
Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizime publike”, vepër e sanksionuar me KPRK.
I akuzuari Sh. L. duke qenë në pozitën e përgjegjësitë për Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që rreth orës 04:24 minuta u ka mundësuar të akuzuarve M. U., G. B. dhe A. I. të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari M. R., ku të njëjtit e keqtrajtojnë, duke e sulmuar fizikisht.
Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar dënim me burgim për të akuzuarin K. GJ. në kohëzgjatje prej 120 ditë, me pëlqimin e të akuzuarit dënimi i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 2.000 Euro.
Të akuzuarit G. B. dhe A. I. janë dënuar me nga 90 ditë burgim, me pëlqimin e të akuzuarve, Gjykata ka zëvendësuar dënimin me burgim në dënim me gjobë në shumën prej 1.000 Euro.
I akuzuari M. U. është gjykuar me 150 ditë burgim, i cili dënim është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 1.500 Euro, ndërsa i akuzuari Sh. L. i është shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 90 ditë, i cili është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 700 Euro.
Ndërkohë i akuzuari B. P. është liruar nga akuza për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /2LONLINE.com/