Gjimnazi “Xhavit Ahmeti” është shpallur më i miri në projektin Teens4Justice – Sfida e Teatrit Ligjor. Dy shfaqjet që kanë dhënë nxënësit e kësaj shkolle kanë bërë që të shpallen më të mirët në nivel vendi. Këta nxënës, nën përkujdesjen e mentores Besjana Gagica kanë dhënë dy shfaqje “Veni, vidi, vici” dhe “Aranea”, shfaqje këto që kanë trajtuar tema nga fusha e drejtësisë, e të cilat janë vlerësuar lart nga publiku.
Në arsyetimin e drejtuesve të projektit “Teens4Justice – Sfida e Teatrit Ligjor” është thënë:
“Më lejoni t’ju përgëzoj për përmbylljen me sukses të Sfidës së Teatrit Ligjor dhe për realizimin e shfaqjeve me tema nga fusha e drejtësisë. Vlerësimi i secilës shfaqje është bërë në bazë të tabelës me kategori dhe pikë që ju kam dërguar në fillim të muajit maj. Në përfundim të kësaj sfide, pas vlerësimeve të bëra nga ekspertja, tri gjimnazet fituese janë:
“Xhavit Ahmeti”, Gjilan
“Ulpiana”, Lipjan
“17 shkurti”, Obiliq”
Është ky edhe një sukses i madh i nxënësve tanë dhe i mentores Besjana Gagica, të cilët sivjet ishin tejet aktivë.
Këto gjimnaze do të përfitojnë kompjuterë ose laptopë në vlerë 500 euro varësisht nga përzgjedhja e tyre. /2LONLINE/