“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka bërë përgatitjet e duhura për menagjimin e situatave të jashtëzakonshme për periudhën e parë të këtij viti dhe gjithashtu është përkujdesur që, falë mbështetjes së kryetarit të Komunës së Gjilanit, për pajisjen e shërbimit të zjarrëfikësve me pajisje të domosdoshme”, ka thënë drejtori i kësaj drejtori Ensar Kadriu, në konferencën e sotme për media.
Në raportimin e tij, Kadriu e ka vlerësuar gjendjen e qetë dhe të menagjueshme gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, derisa ka përmendur edhe vështirësitë dhe sfidat që kishte kjo Drejtori në realizimin e detyrave që ka.
“Drejtoria jonë është në gjendje gatishmërie gjithnjë në bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Shërbimin e Zjarrfikjes dhe drejtoritë tjera të Komunës së Gjilanit në ofrimin e shërbimeve dhe krijimin e kushteve të sigurisë gjithnjë më të mira për qytetarët tanë. Njëkohësisht, kemi bërë edhe vlerësimin e gjendjes së sigurisë së objekteve të Komunës. Gjithashtu, kemi bërë edhe identifikimin e objekteve të braktisura nëpër qytet të cilat mund të paraqesin rrezik për qytetarët dhe pronën e tyre”, ka thënë mes tjerash drejtori Kadriu.
Një punë e vazhdueshme po bëhet nga kjo Drejtori, sipas tij, edhe në identifikimin e familjeve në nevojë për banim social, pastaj vlersime të rreziqeve të ndryshme natyrore, por edhe aspekte të tjera të sigurisë.
Ai ka uruar të gjithë zjarrëfikësit për ditën ndërkombëtare të tyre, 4 majin, sikur që e ka vlerësuar lartë efikasitetin e këtij shëbimi, duke shtuar se për periudhën tre mujore në Gjilan pati 145 intervenime, ku përfshihen raste te zjarreve, asistencë pas aksidenteve, intervenime teknike etj.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ensar Kadiu, në fund, ka apeluar tek të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit, që edhe përkundër që do të bëhen fushata vetëdijesuese kundër zjarreve, të kihet kujdes dhe të ruhet prona publike e private nga përfshirja në zjarre.
“Lusim të gjithë qytetarët, që të jenë vigjilent dhe bashkëpunues me Komunën e Gjilanit për ruajtjen e pronës publike dhe asaj private nga përfshirja në zjarre. Bashkërisht duhet të punojmë në atë drejtim që rastet e zjarrit të jenë gjithnjë e më të vogla”, tha Kadriu.