Skuadra e Gjilanit ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme, në kuadër të javës së 25-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, duke e mundur Lirinë, me rezultat 3:0.
Elvedin Heric ( 8′), Marko Roganovic (47′) dhe Edi Basa (86′), shënuan për fitoren e thellë të SC Gjilanit.
Përveç që ishte e rëndësishme për skuadrën gjilanase, që t’i kthehet fitoreve, edhe rezultati 3 me 0, është i mirëseardhur për përmirësim goldallimi.
Kjo fitore konsiderohet e rëndësishme poashtu për skuadrën e Gjilanit edhe në përpjekjen e saj për t’u ngjitur në tabelë dhe për t’i ikur pozitës së barazhit. Gjilanasit kuq e bardh, aktualisht janë në pozitën e tetë me 25 pikë, tani një pikë më pak se Feronikeli 74, që mban pozitën e shtatë.
E pikërisht me këtë skuadër, nesër ballafaqohet ekipi tjetër gjilanas, Drita, një ballafaqim shumë i rëndësishëm edhe për të, pasi me fitore eventuale, do t’i afrohej vendit të dytë dhe të parë, me vetëm 1 pikë, përkatësisht 2 pikë, pasi pikërisht këto dy skuadra, Ballkani, lideri dhe Llapi i dyti, sot kanë pësuar humbje dhe kanë ngelur në kuotat e 51 dhe 50 pikëve, derisa Drita ka aktualisht 46 pikë.
Pra sot në kuadër të javës së 25-të janë zhvilluar këto takime dhe arritur këto rezultate:
Gjilani – Liria 3:0
Fushë Kosova – Ballkani 2:0
Malisheva – Llapi 2:1.
Nesër luhen:
Feronikeli 74 – Drita
Prishtina – Dukagjini