Klubi i futbollit Gjilani ka afruar në radhët e saja mbrojtësin e qendrës, kroatin, Ivan Fustar. Ky futbollist, (i gjatë 1.87 metra), njihet për lojën e tij në ajër, ku pritet të jetë edhe një “armë” shtesë e kryetrajnerit Gentjan Mezani në mbrojtjen kuq e bardh të Gjilanit, për edicionin e ri të garave në Superligën e Kosovës në futboll.
“Fustar, 31 vjeç i lindur në Split të Kroacisë, në skuadrën e Gjilanit vie pas aventurës dyvjeçare në Qipro te skuadra Nea Salamis. Ai gjithashtu karrierë kishte bërë edhe në Katar te skuadra Al-Arabi ku u paraqit në edicionin 2017/2018”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Ivan Fustar përveç aventurave të ndryshme jashtë vendlindjes, ai gjithashtu ka mbrojtur ngjyrat e shumë skuadrave në Kroaci, ku vlen të ceket ajo në Superligën kroate tek Slaven Belupo, ku u paraqit për dy edicione nga viti 2013 deri në vitin 2015. /2LONLINE.com/