Komuna e Gjilanit, nën përkujdesjen e kryetarit Alban Hyseni, ka nisur sot aktivitetet treditore në shënim të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ku Muzeu Etnologjik ka pranuar veshjet kombëtare të punuara nga vajzat me nevoja të veçanta, organizim ky i përbashkët i Qendrës “Pema” dhe OJQ “Gruaja Hyjnore”.
Kreu i Komunës, Alban Hyseni, pasi ka falënderuar Qendrën “Pema” dhe OJQ “Gruaja Hyjnore” për punën që e bëjnë në vazhdimësi, duke shfaqur zotimin për mbështetje të vazhdueshme institucionale me të gjitha mundësitë.
Ai theksoi se në prag të 15-vjetorit të Pavarësisë, po trajtohet një temë që ka peshë të veçantë.
“Pavarësisht që aktiviteti mund të duket simbolik, kategoritë e ndjeshme të shoqërisë sonë dhe e ardhmja jonë siç janë fëmijët në këtë ngjarje, janë një prej grupeve të shoqërisë që kanë nevojë për vëmendjen institucionale e shoqërore, në mënyrë që e ardhmja jonë të jetë e sigurt, por edhe fëmijët të kenë një të ardhme të ndritur”, ka thënë kryetari Hyseni.
“Ajo që pashë sot, duket një punë jashtëzakonisht e mirë. Po flasim për punime të vogla që kanë detaje të shumta, ndërkohë që aftësitë për t’i punuar këto punime të vogla në detaje, kur kthehen në punë e në veshje për të rriturit, besoj që do të jenë punime shumë të bukura që mundësojnë edhe një profesion për fëmijët që janë sot këtu”, ka shtuar ai.
Në fund, kryetari Hyseni ka ndarë mirënjohje për pasurimin e Muzeut Etnologjik për vajzat që kanë realizuar punimet, Fortesa Zeqiri, Bleona Musliu, Elmina Ahmeti e Mimoza Rashiti, sikurse edhe për Qendrën “Pema” dhe OJQ “Gruaja Hyjnore”.
Aktivitetet kanë vazhduar me hapjen e panairit “Fuqizo Shtetin” (sheshi “Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha”), me koncerti për fëmijë nga “Hello Academy of Education” dhe me shpalljen e lexuesve të dalluar për vitin 2022 në bibliotekën “Fan S. Noli”. /2LONLINE/