Komuna e Gjilanit në dy vitet e fundit ka ndërtuar shtatë ura në Grykën e Karadakut, përkatësisht në fshatrat, Haxhaj, Selishtë e Dunav.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë vizitës atje, ka thënë se ndihet mirë që ua lehtësoi qarkullimin banorëve të Karadakut.
“Ka qenë jetë e rëndë e banorëve të Grykës së Karadakut sepse iu mungonin kushtet elementare të qarkullimit. Këto ura e kanë lehtësuar jashtëzakonisht shumë jetën e tyre. Jam shumë i lumtur për këtë. Përveç këtyre, ne kemi punuar shumë në kuadër të katërshes infrastrukturore, derisa si projekte kapitale është shkolla në Haxhaj dhe palestra në Zhegër”, ka thënë Haziri.
Kreu i Gjilanit ka theksuar se kjo zonë, sidomos me hapjes së kufirit Stançiq-Bellanoc, po bëhet vend rekreacioni e turizmi.
“Gryka e Karadakut është bukuri e Zotit e cila deri tani nuk është shfrytëzuar. Me investimet tona graduale, tash e tutje besoj që turizmi këtu do të zhvillohet jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Haziri.