Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, me drejtorët e drejtorive komunale, kanë bërë sot homazhe para lapidarit të martirëve në fshatin Lladovë, në kujtim të të rënëve nga ky fshat më 2 prill të vitit 1999.
Në fjalën e tij, Ismajli ka thënë se kjo ditë para 20 vitesh ishte dita më e vështirë për këtë fshat dhe njëkohësisht për gjithë Gjilanin e Kosovën.
“Është një ditë e dhimbjes së madhe dhe njëkohësisht edhe krenari që me gjakun e tyre dhe të shumë dëshmorëve është bërë e mundshme liria që sot e gëzojmë të gjithë. Nderi që ne sot bëjmë është vetëm një simbolikë e vogël, në krahasim me veprën e tyre gjigante për lirinë e vendit. Përkulemi gjithmonë para dëshmorëve, të rënëve për liri, sikur që kemi një respekt të veçantë për familjet e tyre dhe kontributin e madh që ato vazhdojnë të japin në ndërtimin e vendit”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Ismajli.
Nga regjimi serb në këtë fshat u vranë mizorisht, Beqir Mahmuti (1953), Zijadin Mahmutit (1960), Daut Mahmuti (1963), Hevzi Ajeti (1970), Ganimete Ajeti (1977) dhe Ahmetali Ajeti (1960, ky i fundit i vrarë dhe i zhdukur. Po ashtu, në Gjilan është vrarë edhe Xhemail Ymeri nga Lladova, kurse i plagosur rëndë kishte mbetur Mefail Ajeti.