Komuna e Gjilanit ka një kryetar legjitim – legal, të zgjedhur me votën e popullit. Prej nga tani edhe një “kryetar” tjetër?! Institucionet e shtetit të Kosovës: (UD)presidenca, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke u marrë me vetvetën, fatkeqësisht, po lejojnë të kompromitohen edhe mëtutje, duke lejuar veprimet e institicioneve paralele serbe nëpër komunat tona.
Shkruan: Shefik Surdulli
Këtu nuk është fjala për veriun (në Mitrovicë), por për Komunën e Gjilanit.
Në emisionin e “TV Puls, Vesti”, të së dielës, më 13.12.2020, me rastin e shpërndarjes së dhuratave fëmijëve të komunitetit serb në Kuvcë, njëfarë Saša Milošević, në pikë të ditës, u prezentua si kryetar i Komunës së Gjilanit.
Indiferenca jonë – e institucioneve kompetente të shtetit, po lejon këto veprime paralele- ilegale të shtetit serb në Kosovë, komprometuese dhe diskredituese gjithsesi për shtetin e pavarur të Kosovës.
Komuniteti serb në komunë të Gjilanit është i integruar në institucionet qeverisese demokratike të Komunës së Gjilanit, dhe i gëzon të gjitha të drejtat me kushtetutën e vendit. Prandaj, nëse Serbia njëmend dëshiron të kujdeset për ta, ajo ktë mund ta bëjë në forma tjera legale – institucionale por assesi përmes këtyre ndërhyrjeve ilegale – kundërkushtuese!
Shteti i Kosovës, në këtë rast edhe kryetari Haziri, duhet të reagojë menjëherë e jo të bëjnë hajgare me këtë punë!
Shefik Surdulli, këshilltar komunal dhe anëtar i Komitetit për Komunitete (nga PDK) – Gjilan.