Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, do të mbahen dhjetëra aktivitete në shënim të 20-vjetorit të çlirimit për pesë ditë me radhë, prej 11-15 qershor.
Aktivitetet do të fillojnë me homazhe tek varri i Beqir Musliut më 11 qershor, në ora 10:00, ndërsa në ora 11:00 bëhet shpallja e çmimit “Beqir Musliu” tek biblioteka e qytetit.
Më 12 qershor, mbahet seancë solemne kushtuar 20-vjetorit të çlirimit në ora 12:00, ndërkohë që në ora 13:00, në sheshin Rexhep Mala e Nuhi Berisha, bëhet parakalimi i njësiteve të FSK-së, Policisë së Kosovës, Njësitit të Zjarrfikësve, mantelbardhëve, rojet e pyjeve, artizanatet, fëmijët parashkollor, ekspozitë e hapur me performancë artistike nga shkolla e artit pamor dhe shkollës së muzikës.
Të enjten në ora 10:30 bëhet ndarja e çmimeve “Agim Ramadani”, “Idriz Seferi” dhe “Hanumshahe Abdullahu- Zymberi” tek zyra e kryetarit, kurse në ora 11:00 – ngjarja Lexim dhe recitim për 20-vjetorin jubilar të ditëve të çlirimit në Bibliotekën e Qytetit.
Më 14 qershor janë të paraparë pesë aktivitete, duke filluar me mbjelljen e luleve te mobileria “Palma” në ora 10:00, vrapimi nga fëmijët e lindur në vitin e Pavarësisë në ora 11:00, inaugurimi i Shtëpisë së Kulturës në Përlepnicë në ora 12:00, ndarja e çmimeve për shkollat fituese në garat e diturisë, ndarja e mirënjohjeve për shërbyesit civil në Shëndetësi, Bujqësi, Zhvillim Ekonomik dhe Arsim tek kampusi i shkollave të mesme, për të përfunduar me shpalljen e më të dalluarve në kulturë, rini dhe sport në ora 19:00, në hotel “Astoria”.
Aktivitetet përmbyllën të shtunën më 15 qershor, pikërisht në ditën e çlirimit të Gjilanit, ku fillimisht në ora 10:00 bëhen homazhe tek varrezat e dëshmorëve, ndërsa në ora 12:00 mbahen dy ngjarje, shfaqja për fëmijë ”Beli, Blerta dhe Balena Blu” në teatrin e qytetit dhe Trekëndëshi Poetik i Paqes dhe ndarja e çmimit “Beqir Musliu”, në shkollën fillore në Shurdhan.
Në ora 13:00, Shoqata e Historianëve “Ali Hadri” organizon simpozium për figurën e Mulla Idriz Gjilanit, në bibliotekën e qytetit, ndërsa në ora 19:00 inaugurohet Sheshi – Jug me performancë artistike nga ansambli “Gjilani”.
Aktivitetet përmbyllen me pritjen e organizuar nga kryetarit Lutfi Haziri në ora 21:00 tek hotel “Astoria”.