Nën udhëheqjen e Ushtrueses së Detyrës të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Deniza Limani, një grup i vullnetarëve, kanë bërë shpërndarjen e materialit vetëdijesues për qytetarë dhe biznese, për informimin e tyre të përgjithshëm se si mund të mbrohen nga Covid19, por edhe hapat që duhet të ndjekin në raste të kushteve emergjente.
Deniza Limani, në fjalën e saj ka potencuar se ka qenë një simbolikë të cilën Drejtoria e Kulturës e ka mbështetur me qëllimin më të mirë që qytetarët gjilanas të mbrohen nga Covid19, si hap dhe masë parandaluese në këtë gjendje emergjente.
“Komuna e Gjilanit në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme është duke punuar për parandalim të Covid 19. Vullnetarët e rinj këtë ditë të vullnetarizmit e kanë manifestuar me shërbimin e drejtpërdrejt në shërbimin e përgjithshëm për shëndetin e qytetarëve. Së bashku sot kemi shpërndarë materialin informues për simptomat dhe trajtimin fillestar, pastaj informimin e organeve kompetente përmes numrave kontaktues në rast se ka dyshime për simptoma të coronavirusit, poashtu është bërë edhe shpërndarja e materialit mbrojtës si dorëza, maska e dezinfektues”, ka thënë drejtoresha Limani, në fjalën e saj.
Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se me mbështetjen e kryetarit Haziri në këtë fazë kapacitetet e kësaj drejtorie janë vënë në shërbimin e parandalimit përmes masave mbrojtëse e vetëdijësuese për shëndetin e qytetarëve të Gjilanit.