Kf.Gjilani do të jetë një fazë para në garën e Kupës së Kosovës, pasi eliminoi Kf.Ballkanin e Suharekës. Gjilani siguroi biletën për çerekfinale me fitoren e arritur, ndonëse me rezultat të ngushtë, 0:1.
Kuq e bardhët ishin në formë gjatë gjithë lojës, pasi patën edhe raste të tjera për t’i konvertuar në gol. Në anën tjetër, vendasit patën rastet e veta, por asnjë nga lojtarët nuk shënoi për t’i ndryshuar shifrat. Në këtë mënyrë u deshën 120 minuta lojë për ta vendosur fituesin.
Tekniku i kuq e bardhëve, Arbnor Morina, në prononcimin pas ndeshjes, ka thënë se ka ngelur i kënaqur nga performance e lojtarëve, me ç’rast edhe ia arritën qëllimit.
“Marrë në përgjithësi jam shumë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të mi, pasi për asnjë moment nuk u dorëzuan dhe kërkuan kualifikimin deri në sekondat e fundit, edhe ia arritëm. Një tjetër fakt më gëzon se për 120 minuta futbollistët treguan se ishin të përgatitur mjaft mirë fizikisht dhe goli erdhi si meritë e angazhimit të tyre”, ka thënë Morina.
Kryetrajneri Morina, shtoi se ardhjet e reja në klub kanë treguar përkushtim maksimal, gjersa theksoi se pritjet janë të mëdha.
“Jam i kënaqur me ardhjet e reja. Nuk kemi shpenzuar në lojtarë të shtrenjtë, por në ata që ata që neve na duhen. Deri më tani djemtë kanë treguar përkushtim maksimal, madje që nga dita e parë e punës dhe presim shumë nga ta”, shtoi më tej Morina.
Ndërkohë, Morina ka premtuar se ai së bashku me stafin teknik dhe futbollistët do mundohen të bëjnë më të mirën e mundshme drejt realizimit të objektivave të klubit gjilanas.
Vlen të theksohet se tifozët e klubit, ‘Skifterat” udhëtuan në mënyrë të organizuar drejt Suharekës, për çka ishin të zëshëm gjatë gjithë ndeshjes.
Kuq e bardhët shkëlqyen edhe në tribina, duke dhuruar spektakël në fushë dhe jashtë saj dhe në fund siguruan edhe triumfin e kësaj përballje.
/Elife Sherifi/