Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veteranit të arsimit dhe proceseve të rëndësishme politike e shtetndërtuese, Rabit Rexhepi, i cili gati një shekull jete ishte i përkushtuar dhe i vendosur për shmbëlltyrën më të mirë për qytetarët e Gjilanit dhe Kosovës.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kujtuar angazhimin që ka dhënë në të gjitha proceset Rabit Rexhepi, e gjithsesi kontributin që ai ka dhënë në hapjen e shkollave shqipe dhe arsimit në përgjithësi, por, njëkohësisht edhe vendosmërinë e tij në rrafshin politik dhe institucional.
“Rabit Rexhepin do ta kujtojmë gjithmonë për kontributin e madh që ka dhënë në të gjitha proceset, e veçanërisht në përkushtimin e tij që kishte për arsimin, çështjet humanitare dhe mbështetjen e parezervë të rinisë në rrugën drejtë pjekurisë politike e intelektuale”, tha ai.
Xhafer Xhaferi, në emër të fshatit Pogragjë, por edhe të kolegëve, ka bërë përshkrimin e veprimtarisë së të ndjerit që nga fillimi e deri në ndarjen nga jeta.
“Vepra e Rabit Rexhepit është dhe do të mbetet gjatë gjithë jetës një shembull dhe udhrrëfyes që nga familja e deri te qytetarët në përgjithësi se si duhet të jetë përkushtimi dhe se si duhet të punohet për emancipim të shoqërisë në mënyrë permanente”, ka thënë ai mes tjerash.
Kurse në emër të familjes, ish – deputeti Fatmir Rexhepi, ka ndar me të pranishmit afërsinë dhe vlerësimin e lartë që kishte Rabit Rexhepi nga presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova dhe nga profesori, Fehmi Agani.
Rabit Rexhepi është varrosur në varrezat e qytetit sot në orët e pasdites.