Komuna e Gjilanit dhe Kompania Regjionale e Ujit “Hidromorava”, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për realizimin e projektit të ndërtimit të sistemit të ujësjellësit për fshatrat Bilinicë, Verbicë e Kmetocit, Vrapqiq, lagjen Porodin, në anën e djathtë të rrugës qarkore Gjilan Prishtinë, dhe vlera e investimit është rreth 300 mijë euro.
Nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, ka thënë se kjo marrëveshje është në funksion të bashkëpunimit dhe mbarvajtjes së punimeve në rregullimin e rrjetit të ujësjellësit në këto lokalitete, ndërsa ka bërë të ditur se këto vendbanime asnjëherë nuk janë furnizuar me ujë të pijes dhe domosdoshmëri ka qenë rregullimi i ujësjellësit.
“Kërkesë e vazhdueshme e banorëve të këtyre fshatrave dhe lagjeve ka qenë ujësjellësi. Ne këtë do ta realizojmë në bashkëpunim me KRU “Hidromorava” e cila pas investimit do të jetë kompetente për menaxhimin e rrjetit në tërësi. Nga kjo marrëveshje Komuna e Gjilanit merr përgjegjësinë e financimit të projektit në tërësi, ndërsa KRU “Hidrimorava”, merr përgjegjësinë e udhëheqjes së të gjitha procedurave të tenderimit dhe mbykëqyrjes së punimeve deri në finalizimin e tyre. Kryetari Haziri gjithnjë fokusin e tij e ka vendosur në prioritetet për një jetë më të mirë të qytetarëve me kushte më të mira në infrastrukturën publike”, ka thënë nënkryetari Kadriu.
Ai më tej ka potencuar se në këto lokalitete Komuna e Gjilanit ka investuar edhe më parë në infrastrukturë si në rrugë, trotuare, ndriçim publik, apo projekte të tjera të ndryshme, mirëpo në këtë fazë do të investohet ujësjellësi, në bazë të standarteve të larta dhe me planifikime afatgjatë.
“Kemi investuar në forma të ndryshme nëpër këto lokalitete, mirëpo mungesa e ujit ka qenë barrë e rëndë për banorët e këtyre vendbanimeve. Fatkeqësisht shpeshherë edhe shkaku kryesor i braktisjes së fshatin ka qenë si pasoj e mungesës së ujit. Vlera e këtij projekti në tërësi është mbi 300 mijë euro”, ka thënë ai ndër të tjerash, duke bërë të ditur se me këto investime në ujësjellës po e mbyllim zotimin tonë që asnjë lokalitet nuk do të mbetete pa furnizim me ujë të pijes.
E nga ana e tij drejtori I KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për këtë investim dhe njëkohësisht ka bërë të ditur se në këto lokalitete prioritare ka qenë prej kohësh ujësjellësi sepse asnjëherë nuk ka pas zgjidhje për këtë problem.
“Falënderojmë Komunën e Gjilanit e cila është përcaktuar për investimin e rrjetit të ujësjellësit në këto lokalitete. Ka qenë vërtetë kërkesë e kahmotshme e këtyre vendbanimeve që atje të bëhet kjo zgjidhje. Ne do të zhvillojmë procedurat dhe do të shfrytëzojmë kohën e mirë për fillimin e punimeve dhe do të jemi mbykëqyrës i gjithë punës që do të realizohet në terren. Burimet e ujit janë të siguruara dhe vetëm mbetet integrimi në rrjet. Shpresojmë shumë në bazë të planifikimit që kemi bërë, që ky projekt i përbashkët të kryhet në një kohë rekorde, sepse nevoja për ujë është shumë e madhe”, ka thënë Suliqi.