Derbi i shumëpritur në mes dy skuadrave gjilanase, FC Drita – SC Gjilani, i ka takuar kësaj të dytës, pasi lojtarët e saj u treguan më efikas, dhe me dy gola në pjesëlojën e dytë, bënë që derbi t’iu takojë kuq e bardhëve dhe me këtë të sjellë gëzim te tifozët “Skifterat”.
Ky takim u zhvillua në kuadër të javës së 6-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll dhe u luajt në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për shkak të punimeve që po bëhen në stadiumin e qytetit të Gjilanit.
Përndryshe, kur jemi te loja derbi, pjesëloja e parë kaloi e ekuilibruar dhe u përmbyll ashtu siç nisi, pa gola.
Në pjesëlojën e dytë u duk se skuadrat janë më të etura për të shënuar. Drita pati disa raste shënimi, por nuk arriti t’i konkretizoi, fal edhe intervenimit të mirë të portierit kundërshtar, ndërkohë që Gjilani u tregua efikas kur jemi te golat. Fillimisht në minutën e 66-të, kur Gerhard Progni nga goditja e lirë, tundi portën mysafire, për 1 me 0, e më pas goli tjetër erdhi një minutë para përfundimit të kohës së rregullt të takimit, përmes Shend Kelmendit (89’), transmeton Portali 2LONLINE.com.
Përndryshe, Drita nga minuta e 72-të luajti me një lojtar më pak në fushë, pasi Princ Balde u ndëshkua me karton të kuq, ndërkohë që duhet përmendur faktin që pati edhe lëshime në organizim, gjë që rezultoi me vonesë të fillimit të pjesëlojës së dytë për disa minuta, për shkak se me të përfunduar pjesëloja e parë, u tensionua situata në tribuna dhe pati edhe përleshjes mes tifozëve. Fillimisht mungoi policia, ndërsa sigurimi nuk ia arriti të parandalojë përleshjen mes tifozëve. Me të ardhur forcat policore, situata u normalizua dhe me pak minuta vonesë, nisi edhe pjesëloja e dytë për të përfunduar takimi pa probleme.
Përndryshe, pas ndeshjes, kryetrajneri i Gjilanit Ismet Munishi, e vlerësoi se për këtë fitore është angazhuar e gjithë skuadra dhe ishte rezultat i punës së madh, derisa kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, përgëzoi lojtarët e tij për angazhim maksimal dhe për humbjen tha se e merr vet përgjegjësinë si trajner, transmeton 2LONLINE.com.
Tani, Gjilani pas kësaj fitore kalon në kuotën e 9 pikëve duke u radhitur në pozitën e pestë, derisa Drita mbetet në kuotën e 11 pikëve dhe mban pozitën e tretë.
Përndryshe, në javën e radhës, të shtatën, në BKT Superligën e Kosovës në futboll, Drita si mysafire takohet me Dukagjinin, e Gjilani si nikoqir pret Llapin. /2LONLINE.com/